Shqipëria

Nishani: Nuk mund ta pranojmë rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon


Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, të hënën e 20 dhjetorit, në protestën e thirrur nga ish-kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka deklaruar se “nuk mund të pranojmë rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon”.

Ndërsa e cilëson këtë protestë si “moment kthese për historinë e Shqipërisë”, Nishani tha se “shqiptarët janë faktor i stabilitetit dhe paqes në Ballkan”.

Ai shpjegoi para dhjetëra qytetarëve të mbedhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, se “nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit, bashkëjetesës dhe respektit”.

Protestuesit, më herët, ishin mbledhur në selinë qendrore të Partisë Demokratike, nga ku dhe u nisën, pas mbërritjes së ish-liderit të selisë blu, Berisha.

Mirëpo, ajo që bëri më shumë përshtypje, është fakti se mbështetësit e Berishës, brohoritën fillimisht kundër kreut të bluve, Lulzim Basha.

Fjala hapëse i takoi ish-deputetit të PD-së, Aldo Bumçi, i cili nga podiumi ka shpjeguar arsyet se pse ndodhet aty.

Ata kërkuan që Basha të dilte nga selia e Partisë Demokratike. Pretendimi, është fakti se, sipas tyre, ai ka shpërdoruar fonde dhe fshihet në godinë.

Çështja e protestës, nuk do të jetë vetëm Ballkani i Hapur. Vend do të zërë edhe situata e fundit e krijuar me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për tenderat e inceneratorëve.

Opozita ka qenë e angazhuar që herët në këtë “aferë të pretenduar”, ndërsa vendimi i SPAK-ut për të lëshuar urdhra-arresti për kokën dhe dy biznesmenë, i ka rindezur zërat demokratë.

Ndër ta, edhe zërin e Berishës. Ai ka qenë i angazhuar me luftën brenda PD-së më së shumti dhe me foltoret e zhvilluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore