Shqipëria

Berisha dhe mbështetësit e tij mbërrijnë në Kryeministri, nis protesta


Mbështetësit e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha – të thirrur nga ai vetë në një protestë kundër takimit të radhës të “Ballkanit të Hapur” – kanë mbërritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë.

Fjala hapëse i takoi ish-deputetit të PD-së, Aldo Bumçi, i cili nga podiumi ka shpjeguar arsyet se pse ndodhet aty.

Duke cituar këtu “aleancën që pati fillimisht Rama-Vuçiç për ndarjen e Kosovës dhe për krijimin e Ballkanit të Hapur”.

Nisma, sipas Bumçit, ka për qëllim izolimin e Kosovës.

Fill pas tij, në podium u ngjit ish-kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi.

Për të “Open Balkan” është asgjë tjetër, përveçse “një përrallë e shëmtuar”.

“Ballkani i Hapur është vetëm një përrallë e shëmtuar, që po serviret si hyrje në Evropë. Po mundohen të joshin Kosovën e brishtë”, deklaroi ajo.

Në këtë protestë ka qenë e pranishme edhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli.

Ajo theksoi se “Kosova nuk e pranon ‘Open Balkan’”.

“Ne do ta kundërshtojmë përgjithmonë dhe fuqia e popullit është e madhe. Ne do ta kundërshtojmë projektin serb, atë që vetë serbët e quajnë ‘Bota Serbe’”, deklaroi Tërmkolli.

Ish-deputeti i PD-së, Aldo Bumçi

Në podium janë ngjitur edhe figura të tjera të Partisë Demokratike, duke filluar nga ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe deputeti Tritan Shehu.

Nga ana tjetër, lideri i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi, ka cekur edhe çështje të tjera.

Ai ka akuzuar kryeministrin, Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj, për atë që Këlliçi e ka cilësuar “afera e inceneratorëve”.

Protestuesit, më herët, ishin mbledhur në selinë qendrore të Partisë Demokratike, nga ku dhe u nisën, pas mbërritjes së ish-liderit të selisë blu, Berisha.

Mirëpo, ajo që bëri më shumë përshtypje, është fakti se mbështetësit e Berishës, brohoritën fillimisht kundër kreut të bluve, Lulzim Basha.

Ata kërkuan që Basha të dilte nga selia e Partisë Demokratike, me pretendimin se ai ka shpërdoruar fonde dhe fshihet në godinë.

Çështja e protestës nuk do të jetë vetëm Ballkani i Hapur. Vend do të zërë edhe situata e fundit e krijuar me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për tenderat e inceneratorëve.

Opozita ka qenë e angazhuar që herët në këtë “aferë të pretenduar”, ndërsa vendimi i SPAK-ut për të lëshuar urdhra-arresti për Kokën dhe dy biznesmenë i ka rindezur zërat e demokratëve.

Ndër ta, edhe zërin e ish-liderit të PD-së, Berisha. Ai ka qenë i angazhuar me luftën brenda PD-së më së shumti dhe me foltoret e zhvilluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore