Lajme

Nis takimi trepalësh në Bruksel për Dinarin


Ilustrim: Takimi trepalësh në Bruksel

Të enjten ka filluar takimi trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e të deleguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Fillimisht Lajçak të enjten në mëngjes takoi vetëm kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç.

Pas këtij takimi është raportuar se palët kanë nisur takimin trepalësh për të gjetur një zgjidhje lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Ky është takimi i tretë me radhë në mes të Bislimit dhe Petkoviç-it për këtë çështje.

Pas takimit të fundit e mbajtur më 25 mars në Bruksel, Bislimi theksoi se dallimet me Serbinë në këtë çështje janë të mëdha andaj kërkohet një takim shtesë.

Dy takimet e fundit përfunduan pa ndonjë rezultate konkretë në këtë drejtim.

Ndërkaq Petkoviç, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe kërkoi që që serbët t’i marrin paratë nga Banka Postare e Serbisë.

Ndryshe në takimin e parë që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Në vlerësimin e Kurtit, Bislimi nuk mund të negociojë për rregulloren e BQK-së, meqë kjo e fundit është institucion i pavarur, e Kosova nuk është vend autokratik sikur Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore