Shqipëria

Nis sot pelegrinazhi në Malin e Tomorrit


Nga data 20 deri më 25 gusht, besimtarët bektashinj kremtojnë pelegrinazhin në Malin e Tomorrit, në Berat.

Për këtë festë të Shenjtë, mijëra pelegrinë, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga rajoni, çdo vit ngjisin malin prej 2 mijë e 416 metrash lartësi, për të kryer ritualin fetar që e karakterizon këtë besim.

Për pesë ditë me radhë, besimtarët ndjekin ritualet e fesë së Abaz Aliut dhe dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të baba Tomorrit dhe veprave të shenjtorëve bektashinj.

Besimtarët luten e ndezin qirinj në varrin e shenjtorit “Abaz Aliu”. Atje ata ngrenë çadra, ku bëjnë kurban bagëtinë e imët për të kërkuar më shumë shëndet, mirësi dhe paqe për familjet e tyre.

Data 22 do të jetë edhe dita kur Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, do të zhvillojë ceremoninë e këtij aktiviteti të shenjtë.

Ndërkohë, Policia e Beratit ka njoftuar dy ditë më parë se nga ana e tyre, janë marrë të gjitha masat për të siguruar qarkullimin rrugor në rrugët e Beratit.

Drejt Malit të Tomorrit të çojnë tre rrugë, Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj–Teqe, Poliçan –Bogovë-Teqe dhe Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut. Të gjitha këto rrugë të monitoruara nga ana e strukturave të policisë.

Përkatësisht Pronovik-Novaj-Teqe janë akse problematike, që paraqesin vështirësi në kalim, sidomos për qarkullimin e automjeteve të vogla.

Pavarësisht vështirësive ka dhe nga ata besimtarë të cilët preferojnë që një pjesë të rrugës ta ngjisin në këmbë.

Kryesisht rrugën nga Teqeja në Çukë deri në Teqenë e Abaz Aliut në Kulmak. Teqeja e Kulmakut lidhet me shërbimin që i bëhet tyrbes së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë, së ndërtuar në fillim të shekullit XV.

Kjo e fundit u ringrit në vitin 1916 nga Dervish Iljazi. Tyrbja e Abaz Aliut është shpallur Monument Kulture.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore