Shqipëria

Nikolla pret kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Sllovenisë: Nga integrimi i Shqipërisë te situata në Evropë, në fokus


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, paraditen e 2 marsit, ka pritur në një takim delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Sllovenisë, të kryesuar nga Kryetarja e Komisionit, Monika Gregorčič,

Nikolla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë si edhe ndihmën e gjithanshme për thellimin e reformave dhe shprehu besimin se këto kontribute do të vijojnë.

“Vizita juaj po kryhet në një kohë të vështirë për Evropën, botën, por edhe për rajonin tonë, të shkaktuar nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës. Shqipëria është solidarizuar plotësisht me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe politika jonë e jashtme dhe e sigurisë ka qenë, është dhe do të jetë në koherencë të plotë me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s”, tha Nikolla në fjalën e saj.

Por sipas Nikollës përveç këtij fakti, “ne vazhdojmë të punojmë për arritjen e objektivave tona. Shqipëria e ka bërë të qartë se integrimi në BE është prioriteti strategjik kombëtar i Shqipërisë”.

Gregorčič, falënderoi Kryeparlamentaren për vlerësimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe vlerësoi progresin e madh të Shqipërisë në plotësimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

“Sllovenia do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht integrimin evropian të Shqipërisë dhe për këtë kemi konsensus  midis të gjitha forcave politike”, tha Gregorčič.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit politik, parlamentar dhe ekonomik e tregtar midis të dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore