Lajme

“Ngritja e çmimeve të konsumit, shkaktar berëza ndërkombëtare”


Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovë (ASK), ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të çmimeve të Konsumit (HCK)”, për muajin korrik të vitit 2021.

Në bazë të të dhënave të ASK-së produktet bazë ushqimore janë ngritur duke përfshi bukën, drithërat, qumështin, djathin, dhe vezët.

Sipas ASK-së, çmimi i bukës dhe drithërave ka pasur ngritje 0.4%; qumështi, djathi dhe vezët, 1.5%; pemë 1.5%; sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 0.9%; kafja, çaji dhe kakao 0.9%; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 0.6%.

Për ngritjen e çmimeve ka folur Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke e konsideruar shqetësuese shtrenjtimin e produkteve ushqimore.

Hajdari fajin për ngritjen e çmimeve ia ka lënë shtrenjtimit në berëzën ndërkombëtare.

“Është evidente se në muajt e fundit janë vërejtur raste të rritjes së çmimeve në veçanti për produktet e konsumit dhe kjo është shumë shqetësuese. Mirëpo vlen të theksohet se sa i përket produkteve të konsumit për të cilat çmimi i tyre diktohet nga berëza ndërkombëtare dhe çdo lëvizje në berëzën ndërkombëtare rrjedhimisht reflektohet edhe në tregun e Kosovës”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka treguar se shteti i Kosovës është i varur nga importi i mallrave dhe kjo shkakton çrregullime në tregje.

“Kosova ka një varësi jashtëzakonisht të madhe në importe sidomos në importe e produkteve që janë të rëndësishme në konsumin e ekonomive familjare që për përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit. Kemi një deficit tregtar mjaftë të lartë dhe të vazhdueshëm mbi 406 milionë euro, vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti”, ka thënë Hajdari.

Ilustrim

Për njohësin e ekonomisë, Astrit Ratkoceri, ngritja e çmimeve të produkteve bazë shkakton pasoja.

“Rritja e çmimeve të shportës së konsumatorit apo produkteve bazike në rastin konkret të bukës dhe djathit mund të ketë efekt zëngjirur edhe në rritjen e produkteve tjera sidomos atyre që ndërlidhen në mënyrë direkte me to”, ka thënë ai.

Ratkoceri për Albanian Post ka treguar se ngritja e çmimeve ushqimore do ta varfërojë shportën e konsumatorëve.

“Tek konsumatori kjo ndikon në varfërimin e shportës dhe kufizimin e blerjeve, rritja e çmimit të produkteve  bazike heqja dorë nga të cilat po thuajse e pa mundur do të ndikojë në heqjen dorë nga produktet jo të domosdoshme apo të luksit, prandaj rritja e këtyre çmimeve ndikon indirekt edhe në kërkesën për produkte tjera”, tha ai.

Sipas tij, një rritje e tillë e vazhdueshme e çmimeve e cila nuk pasohet nga rritja e pagave i bie varfërim gradual i vazhdueshëm i konsumatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore