Lajme

Nga një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për ryshfet në MPB


Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër të dyshuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje e dhënie ryshfeti gjatë disa procedurave tenderuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njoftoi Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar të hënën një aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit, ku janë arrestuar tre zyrtarë të ministrisë dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit.

Për të dyshuarit ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtar duke vepruar në bashkëpunim gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në Ministrinë e Punëve Brendshme kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se Qeveria e Kosovës tashmë e ka dëshmuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se kushdo që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohet me drejtësinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore