Lajme

Nga kriminel, në oficer policie, në kryetar bashkie të New York


Bill de Blasion, në krye të bashkisë më të njohur të SHBA-ve, atë të New York-ut, do ta pasojë ish-oficeri i Policisë, Eric Adams – i dyti person me ngjyrë në histori që drejton “Mollën e Madhe”.

Një fitore, e cila u cilësua si me “knock out”, me 67% të votave kundrejt republikanit Curtis Sliwa.

Por, jeta nuk ka qenë gjithnjë e bukur për Adams, i cili në moshën 15-vjeçare u arrestua me dhunë nga forcat policore, në të cilat ai do të bëhej pjesë më parë.

Ishin vitet ’80, kur ai u bë pjesë e uniformave blu të New York-ut. Plot 22 vjet karrierë i shpenzoi si pjesë e forcave të rendit, deri në vitin 2006.

Gjatë kësaj kohe, ai themeloi edhe një union në vitin 1995, i cili kishte synim luftën kundër racizmit.

Pasi u dorëhoq nga Policia, ai u zgjodh senator për shtetin e New York-ut. Më pas, president i Bashkisë së Brooklyn, duke vendosur një këmbë brenda Bashkisë së madhe të New York-ut.

Gjatë fushatës, Adams u kritikua më së shumti për faktin se nuk i takoi unionet e policëve. Ata kishin nisur një fushatë kundër vaksinimit të detyrueshëm për efektivët.

Por, Adams, luftën kundër krimit dhe mënyrën se si ajo duhet të zhvillohej, zgjodhi ta diskutonte me ish-krerët e bandave kriminale të New York-ut.

Ai ka treguar palëkundshmëri në luftën kundër krimit, në bazë të fushatës që ka kryer.

Po ashtu, Adams është shfaqur si mbrojtës i epërm i klasës së mesme dhe luftëtar ndaj pabarazisë gjinore.

Tashmë, 36 mijë punonjës policie do të jenë nën direktivën e tij.

Sfidë do të jetë për të edhe lufta kundër COVID-19, e cila në qytetin që s’fle kurrë është e ashpër. Por Adams e ka deklaruar se është serioz në zbatimin e rregulloreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore