Lajme

Nëntë organizata joqeveritare reagojnë ndaj vendimit të Supremes: Laramania e vendimeve tregon sistemin e dështuar të drejtësisë


Naser Pajazitaj.

Nëntë organizata joqeveritare kanë kërkuar drejtësi për Donjeta Pajazitaj, pas lirimit të Naser Pajazitaj i cili akuzohej për vrasjen e saj.

Përmes një komunikate për media nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), është kërkuar përgjegjësi institucionale për këtë rast.

“Drejtësi për Donjetën! Përgjegjësi institucionale për rastin! Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor 2015, ka krijuar shqetësim e paqartësi të mëdha në opinionin publik”, thuhet në komunikatën e publikuar nga kjo organizatë.

Nga kjo organizatë është thënë se rasti është trajtuar në gjitha shkallët gjyqësore në Kosovë dhe janë marrë vendime diametralisht të kundërta në shkallë të ndryshme.

“Gjykimi ndaj Naser Pajazitaj është zhvilluar katër herë në gjykata të shkallës së parë, dy herë është gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe dy herë nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Në mars të vitit 2018 Gjykata Themelore në Pejë të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt”.

“Ndërsa pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në qershor të vitit 2022 Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar të akuzuarin Pajazitaj me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte ulur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 35 vitesh”.

Vetëm përmes këtij rasti është thënë se tregohet dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Nga i pafajshëm – në burgim të përjetshëm. Nga 35 vite burgim – në liri. Kjo laramani e vendimeve ilustron qartë dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë”.

“Donjeta është një viktimë e femicidit dhe për të nuk ka ende drejtësi. Vrasësi i saj është në liri”.

Ndërsa nga institucionet është kërkuar që të japin llogari për dështimet në trajtimin e këtij rasti.

“Kërkojmë që institucionet e drejtësisë të japin llogari për dështimet në trajtimin e këtij rasti dhe kërkojmë drejtësi për Donjetën!”.

Nga vendimi që dënimi nga burgimi i përjetshëm t’i ulët i akuzuari për vrajsen e Donjeta Pajazitajt është liruar.

Vendimi për lirimin e Naser Pajazitajt është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, teksa lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zyrtarja për informim publik në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 6 prill 2023, e ka liruar N.P nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor i njëjti do të bëhet publik”, ka thënë ajo përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

Më 18 nëntor, pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që Naser Pajazitajt t’i ulët dënimi nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Në vitin 2015 në një fshat të komunës së Deçanit në Kosovë, kishte ndodhur një nga vrasjet më misterioze të pasluftës.

Një vajzë e re, Donjeta Pajazitaj, ishte zhdukur një ditë derisa po shkonte në punë. Kaluan javë të tëra dhe ajo nuk gjendej, derisa në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit u gjetën mbetje të një trupi.

Pasi u lajmërua policia dhe u bë ekspertiza, u kuptua se mbetjet ishin të vajzës 24 vjeçare që po mungonte prej javësh.

Rasti është trajtuar nga të gjitha shkallët gjyqësore në Kosovë dhe janë marrë vendime kontradiktore në shkallë të ndryshme.

Personi që u shpallë i pafajshëm më vonë u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u kthye në rigjykim përsëri.

Naser Pajazitaj u lirua por, kush e vrau Donjeta Pajazitajn?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore