Kosova

Në sheshin e Prishtinës fillon vaksinimi me dozën e parë


Vaksinimi në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Të premten e 22 tetorit, qytetarët duke filluar nga ora 10:00 deri në 17:30 kanë mundësinë që të marrin dozën e parë të vaksinës antiCOVID në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, aty janë vendosur tenda për vaksinim.

Niman Bardhi, koordinatori i Qendrës së vaksinimit “1 Tetori”, në Prishtinë, u shpreh se kjo po bëhet me qëllim që të jenë afër personave që ende nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

“Bazuar në Planin e veprimit të vaksinimit në masë ne kemi paraparë që përmes ekipeve mobile të jemi afër qytetarëve. Për herë të parë është ngrit tenda në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Tenda është vetëm për personat që marrin dozën e parë, e jo për të dytën”, tha Bardhi.

Ai njoftoi se nga java e ardhshme ekipe mobile të vaksinimit antiCOVID do të ketë në nivel vendi.

“Siç jeni të informuar mbi 600 mijë persona janë vaksinuar me dy dozat, po i afrohemi shifrës 700 mijë. Aktualisht, kemi rreth 200 mijë që e kanë marrë dozën e parë… nëse bëhen kalkulimet ne jemi lider sa i përket vaksinimit”.

Bardhi shtoi se, “sa i përket interesimit bazuar në grup-moshat jemi brenda kuotës normale dhe shpresojmë që edhe ata persona që ende nuk e kanë dozën e parë të jemi afër tyre dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi”.

Niman Bardhi, koordinatori i Qendrës së vaksinimit “1 Tetori”,

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga kjo e premte, vaksinimi do të nis edhe në sheh të kryeqytetit nga ora 10:00 deri në ora 17:30.

“Ministria u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, si rrugën më të sigurt për parandalimin e infektimit nga COVID-19”.

Të gjithë të interesuarit për vaksinim kundër COVID-19, mund të vaksinohen nga ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Një praktikë e këtillë do të fillojë së shpejti edhe në komuna të tjera të Kosovës”.

Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, për të nisur këtë aksion të vaksinimit në shesh, e ka mbështetur Forca e Sigurisë së Kosovës.

“MSh falënderon Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) për mbështetje për aksionin e vaksinimit në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”, u tha në njoftimin e MSh-së.

Ndërkaq vaksinimi në sallën “1 Tetori” do të vazhdoj edhe më tej, sipas njoftimit të Ministrisë edhe në ditët e vikendit.

Vaksinimi në këto hapësira sportive po bëhet në të gjitha qendrat e Kosovës.

Vaksinimi në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Më 28 mars të këtij viti, në Kosovë arritën 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19, të cilat u sollën si donacion nga UNICEF.

Kjo organizatë ka vazhduar të siguroj vaksina për qytetarët e Kosovës edhe në vazhdim.

Në fund të shtatorit, UNICEF zyra në Kosovë, ka njoftuar se kanë sjellë edhe 503 mijë e 100 doza të vaksinave anti COVID-19, si donacion nga Ambasada Amerikane përmes COVAX-it me mbështetje nga UNICEF-i.

Që nga fillimi i vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 519 mijë e 933 doza të vaksinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore