Shqipëria

Në samit pritet të komentohet mosmarrëveshja RMV-Bullgari, sipas draft-konkluzioneve


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) ka të ngjarë të komentojnë mosmarrëveshjen dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kjo, gjatë samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor.

Lajmi u bë i ditur nga rrjeti mediatik “Euractiv”, duke cituar shqyrtimet e saj të draft-konkluzioneve të samitit të fundit.

Konferenca e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet më 23 qershor në Bruksel.

Ajo do të përkojë me ditën e dytë të sesionit të planifikuar të Këshillit Evropian më 23 dhe 24 qershor.

Liderët e BE-së pritet të shprehin gjithashtu “angazhimin e plotë dhe të qartë të bllokut ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor”.

Ndër të tjera, ata do të bëjnë “thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, pas takimit të planifikuar midis liderëve të BE-së dhe gjashtë homologëve të tyre nga rajoni.

Nga gjashtë kandidatët, vetëm Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur zyrtarisht negociatat e pranimit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten në dhomën e pritjes për disa vite.

Teksti i vetëm nga draft-konkluzionet, për të cilin ende nuk është rënë dakord, janë “negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Pavarësisht disa përparimeve dhe një propozimi francez për një afat kohor për zgjidhjen e çështjeve, parlamenti bullgar mbetet kundër hapjes së bisedimeve të pranimit.

Deputetët në Sofje do të votojnë të mërkurën në mbrëmje për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kiril Petkov-it.

Kjo, pasi ai ka humbur mazhorancën me largimin e partisë “Ka edhe njerëz të tillë” nga koalicioni 4-palësh.

Ukraina

Udhëheqësit e BE-së në Bruksel do të miratojnë një rekomandim nga Komisioni Evropian për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin kandidat për anëtarësim në BE.

“Këshilli Evropian ka vendosur t’i japë Ukrainës dhe Republikës së Moldavisë statusin e vendit kandidat”, thuhet në projektvendimin e liderëve të BE-së.

Ata do të vendosin për hapat e ardhshëm sa i takon anëtarësimit të vendeve.

Kjo, pas përmbushjes së plotë të të gjitha kushteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, shtohet në projektvendim.

Raporti i parë mbi vlerësimin e përputhshmërisë së Ukrainës pritet në kuadrin e analizës së rregullt të Komisionit Evropian për zgjerimin deri në fund të këtij viti.

Sa i përket Gjeorgjisë, formulimi i samitit të BE-së do të jetë si vijon: “Këshilli Evropian është i gatshëm t’i japë Gjeorgjisë statusin e kandidatit pasi të ketë parasysh prioritetet e përcaktuara në opinionin e Komisionit për aplikimin e Gjeorgjisë për anëtarësim”.

“Përparimi i secilit vend drejt Bashkimit Evropian do të varet nga meritat e tij në përmbushjen e kritereve të Kopenhagen-it, duke përfshirë aftësinë e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj”, thuhet në draft-konkluzionet.

Ky formulim sugjeron se BE-ja nuk ka ndër mend ta bashkojë Ukrainën dhe Moldavinë në një “paketë”, siç ka qenë rasti me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore