Lajme

Në Luginën e Preshevës regjistrohen mbi 100 mijë banorë


Lugina e Preshevës. Foto: Krenar Halimi.

Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare ka më shumë se 100 mijë banorë bazuar në publikimin e rezultateve të para të regjistrimit të popullsisë.

Enti Republikuan i Statistikave, ka publikuar të mërkurën rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë, bazuar në këto rezultate, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare ka më shumë se 100 mijë banorë.

Sipas këtij publikimi në komunën e Bujanocit, janë regjistruar 54 mijë e 684 persona, ndërsa janë llogaritur vetëm 42 mijë e 634 banorë të kësaj komune.

Për dallimin e shifrave mes personave të regjistruar dhe numrin zyrtarë të banorëve Enti Republikan ka sqaruar shtetasit që përfshin regjistrimi, raporton Spektri.

“Regjistrimi përfshin shtetas të Republikës së Serbisë me vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Serbisë, si dhe shtetas të Republikës së Serbisë me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, të huaj me qëndrim të përhershëm dhe të huaj të cilëve u është lejuar qëndrimi i përkohshëm në Republikën e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, tek numri i përgjithshëm i personave të regjistruar përfshihen personat e pranishëm përkohësisht të cilët janë regjistruar dy herë.

Një herë në vendin ku banon familja e tyre dhe herën e dytë në vendin ku studiojnë ose punojnë këta persona, si dhe personat që kanë braktisur vendbanimin e tyre dhe janë në gjendje kritike, banonin jashtë vendit në kohën e regjistrimit.

Më 1 nëntor, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kishte bërë të ditur se janë regjistruar rreth 120 mijë qytetarë.

“Sipas rezultateve preliminare të cilat janë tani në Entin Statistikor këtu në Serbi janë rreth 120 mijë qytetarë në Luginë të Preshevës që pikë së pari është një mesazh i mirë”.

“Ne jemi rreth 100 mijë shqiptarë këtu, prandaj akoma nuk mund të dihet se sa prej tyre janë regjistruar”, kishe thënë ai për AP.

Më 31 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për procesin e regjistrimit të shqiptarëve në Serbi ka kërkuar që të ketë vëzhgim nga ndërkombëtarët.

Sipas Kurtit, kjo duhet bërë për shkak të deklaratave të presidentit Aleksandër Vuçiç.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media adresoi thirrje tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 1 tetor dhe zgjati deri në fund të muajit.

Ajo tha se shqiptarët duhet të bashkohet kundër politikës shoviniste të Serbisë.

Ndryshe, shqiptarët nga tri komunat në jug të Serbisë, ku jetojnë shumica e shqiptarëve, bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Arifi: Rreth 120 mijë qytetarë janë regjistruar në Luginën e Preshevës, s’dihet sa prej tyre janë shqiptarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore