Lajme

Në Irpin, ukrainasit po vdesin për vlerat perëndimore


Në rrënojat e Irpin-it – qytet brenda Kyiv Oblast-it – një kufomë e një gruaje ukrainase ka tërhequr vëmendjen e përdoruesve të mediave sociale.

Sipas rrëfimeve të gazetarëve të terrenit, gruaja u vra nga një predhë, ndërsa përpiqej të largohej nga shtëpia e saj.

Por, një detaj bie në sy nga fotoja e trishtë e dorës së përpirë prej tymit të zi.

Në mbajtësen e çelësave gjenden dhe ngjyrat e “Evropës”.

Flamuri i Bashkimit Evropian dëshmon se njerëzit në Ukrainë po vdesin pikërisht për vlerat perëndimore.

Bota është tronditur nga fotot e Bucha-s, Irpin-it dhe periferitë e tjera të Kiev-it.

Kryetari i Bashkisë së Irpin-it, Alexander Markushin, më herët foli për mizoritë e pushtuesve.

“Shumë njerëz vdiqën nga minat dhe nga bombardimet e tyre. Dhe shumë rusë i pushkatuan. Në rrugën Pushkinskaya, në rrugën “Lermontov”, ata qëlluan vajza e gra dhe, më pas u kaluan sipër me tanke”, theksoi Markushin.

Më 28 mars, qyteti i Irpin-it u çlirua nga pushtuesit rusë.

Për momentin, në qytet vazhdon spastrimi, ndaj është ende i pamundur kthimi atje.

Qyteti është i mbyllur. Për shkak të grabitjeve, autoritetet lokale vendosën të kontrollonin të gjitha makinat që largoheshin nga Irpin-i.

Dihet se 50 për qind e ndërtesave në Irpin u shkatërruan pas bombardimeve ruse.

Zelensky

“Unë ftoj zonjën Merkel dhe z. Sarkozy të vizitojnë Bucha-n dhe të shohin pasojat e koncesioneve ndaj politikës ruse gjatë 14 viteve të fundit. Shihni me sytë tuaj ukrainasit e torturuar dhe të vrarë”, deklaroi fillimisht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai e solli në vëmendje këtë gjatë përvjetorit të katërmbëdhjetë të samitit të NATO-s në Bukuresht.

Asokohe, aleanca kishte një shans për ta nxjerrë Ukrainën nga “zona gri” në Evropën Lindore, nga “zona gri” midis NATO-s dhe Rusisë.

“Zona gri, ku Moska mendon se lejohet të bëjë gjithçka. Edhe krimet më të tmerrshme të luftës”, theksoi presidenti.

Zelensky u shpreh se, pas deklaratave diplomatike optimiste që supozonin se Ukraina mund të bëhej anëtare e NATO-s, më pas, në vitin 2008, fshihej një refuzim për të pranuar Ukrainën në Aleancë.

“Gjatë 14 viteve që nga ajo llogaritje e gabuar, Ukraina ka kaluar një revolucion dhe tetë vjet luftë në Donbas. Dhe tani ne po luftojmë për jetën tonë në luftën më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha kreu i shtetit.

Zelensky siguroi se ai nuk fajësoi Perëndimin apo askënd tjetër përveç ushtarakëve specifikë rusë, të cilët kryen krime kundër ukrainasve dhe atyre që u dhanë urdhra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore