Lajme

Në hall me Fake News


Albin Kurti ne mbledhje te qeverise

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në situatën e fundit në veri, hallin kryesor ka thënë se e ka me dez-informatat në raport me masat që i ka marrë qeveria dhe me atë se çfarë ndodhë atje.

Madje, kryeministri thotë se informimi i pasaktë i qëllimshëm, apo siç njihet dez-informimi, përbën rrezik nacional për Kosovën.

“Dez-informimi sot para qenë rrezik për siguri kombëtare, prandaj përcjellni me vëmendje komunikata nga qeveria”, deklaroi ai.

Kurti bëri të ditur se kabineti i tij dhe në përgjithësi qeveria do të intensifikojnë fushatën për informim.

“Fushata do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit”, tha ai, duke konfirmuar kështu, edhe një herë, se masat për reciprocitet të targave, por dhe të letrës së bardhë për hyrje/dalje do të vendosen në këtë datë.

Kurti ka falënderuar ministrat, pa përjashtim, për “durimin, vetëpërmbajtjen dhe pjekurinë që keni treguar”.

Fletushkat e vendosura në automjetet e serbëve në Veri

Ka folur edhe për barrikadat duke deklaruar se ato “nuk vijnë nga poshtë, por vendosen nga lartë”. Pra, s’janë pakënaqësi e popullit, por organizim i strukturave të dirigjuara nga Beogradi.

Duke iu drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, u ka thënë se “ata nuk ju përfaqësojnë juve”.

Sa për procesin e lëshimit të dokumentit shtesë për shtetasit serbë që futen në Kosovë, ka ripërsëritur se është procedurë shumë e shpejtë dhe se në momentin që fillojë aplikimi, u lëshuan “2769 dokumente për hyrje-dalje”, pa asnjë problem.

Në një pjesë të fjalimit, Kurti ka shpjeguar edhe një herë, përse masat reciproke në raport me Serbinë janë të nevojshme.

“Konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në të gjithë republikën e Kosovës duke i kontribuar këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë përfitohet nga lirimi i taksave doganore, taksat administrative, tarifa për targën dhe tarifa për certifikatë të regjistrimit të mjetit që në vlerë totale kapin shifrën rreth 5 mijë euro”.

“Në anën tjetër”, vazhdoj Kurti, “dokumenti për hyrje-dalje në pikat kufitare për ata që prezantojnë dokumentet e lëshuar nga autoritetet serbe nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes, koha e pritjes për tu pajisur me këtë dokument është mesatarisht 20 sekonda ndërkohë që për një masë të njëjtë tash e 11 vjet sa herë që udhëtojmë në Serbi duhet të presim rreth 60 minuta”.

“Kam dëgjuar për lajmin e rremë që ID-të ose dokumente serbe do të konfiskohen ne kufi në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti për hyrje dalje është dokument shtesë i cili jepet pa pagese dhe me të cilin mund të merren edhe shërbime të tjera në institucionet tona gjatë qëndrimit në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore