Lajme

Në emër të luftimit të krimit të organizuar, vala e arrestimeve në El Salvador godet edhe të pafajshmit


Pasagjerët e autobusit presin të kontrollohen nga policia në një pikë kontrolli në San Salvador

Vajzat e Alexander Eduvay Guzman Molina, duan të dinë se kur babai i tyre do të kthehet në shtëpi, kjo pasi që ata nuk e kanë parë atë, që kur ky i fundit u arrestua nga policia Salvadorane më 27 mars.

Guzman Molina është akuzuar për “shoqërim të paligjshëm”, por një i afërm i tha Al Jazeera se akuzat janë të pabaza. Tani, familja ka frikë për sigurinë e tij, pasi Guzman Molina nuk është duke vijuar rehabilitimin e tij të terapisë fizike për një frakturë të kockës në dorë.

“Jam i shqetësuar se nuk po i japin kujdes mjekësor dhe se diçka mund t’i ndodhë”, i tha Al Jazeera i afërmi i tij, i cili kërkoi të mos identifikohej nga frika e hakmarrjes nga autoritetet. “Ata [autoritetet] po bëjnë dëme të tmerrshme, sepse pas tij gruaja, fëmijët, mami, babi dhe vëllezërit e motrat, të cilët po vuajnë tmerrësisht nga kjo situatë”.

Mijëra familje salvadorase po përjetojnë të njëjtin ankth pasi qeveria arrestoi më shumë se 24 mijë njerëz që nga fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme më 27 mars.

Qeveria thotë se po arreston ” terroristët ” dhe anëtarët e bandave për të marrë kontrollin e rrugëve pas përshkallëzimit të dhunës që rrjedhimisht la më shumë se 80 njerëz të vdekur.

Por, anëtarët e familjes thonë se disa nga personat e arrestuar nuk kanë lidhje me bandat të cilët janë kapur nga një politikë që synon arrestimin e njerëzve të pafajshëm.

Disa gra, nëna dhe të afërm të tjerë kalojnë ditë jashtë burgjeve duke pritur për një shenjë të të dashurve të tyre, për të cilët autoritetet në shumicën e rasteve kanë dhënë pak ose aspak informacion.

“Fillimi i një jave të re dhe ne nuk dimë absolutisht asgjë për vëllain tim. Ky makth përsëritet në shumë shtëpi të salvadoranëve të ndershëm që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme”, shkroi Fernanda Alvarado në Twitter më 2 maj. Vëllai i saj, Jose Luis Iglesias Alvarado, 30 vjeç, u arrestua ndërsa punonte si shofer transporti ushqimesh më 26 prill.

“Ne e kemi parë këtë më parë”

Trauma e përjetuar aktualisht nga familjet e të burgosurve, nuk është e para e këtij lloji.

Gjatë një lufte civile midis rebelëve të krahut të majtë dhe qeverisë Salvadorane të mbështetur nga SHBA nga viti 1980 deri në 1992, më shumë se 70 mijë njerëz u vranë dhe 5 mijë u zhdukën. Udhëheqësit e studentëve dhe aktivistët u hoqën nga rrugët dhe nuk u panë më, dhe foshnjat u vodhën nga familjet e tyre dhe u vendosën për birësim të paligjshëm.

“Këto janë qartazi arrestime masive pa asnjë hetim dhe që kanë për qëllim të gjenerojnë një ndikim terrori në popullatë”, tha Leonor Arteaga, një avokat nga Salvadori dhe drejtor i programit të Mosndëshkimit dhe Shkeljeve të Rënda të të Drejtave të Njeriut në Fondacionin “Due Process of Law”, e cila promovon shtetin e së drejtës në Amerikën Latine.

Një raport i fundit nga Human Rights Watch (HRW) dhe grupi Salvadorian i të drejtave Cristosal dokumentoi një prirje të ndalimeve arbitrare në valën e fundit të arrestimeve. Grupet i quajtën disa prej tyre “zhdukje të detyruara” për shkak të mungesës së informacionit dhe kontaktit me familjet.

Një individ mund të konsiderohet i zhdukur kur “zyrtarët shtetërorë (ose dikush që vepron me pëlqimin e shtetit) i rrëmben nga rruga ose nga shtëpitë e tyre dhe më pas e mohojnë atë, ose refuzojnë të thonë se ku janë”, sipas Amnesty International.

Por, pavarësisht kritikave, anëtarët e Partisë Nuevas Ideas të Presidentit Nayib Bukele thanë se do të vazhdonin arrestimet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme derisa të gjithë anëtarët e bandës, të vlerësuar në 70 mijë njerëz, të arrestoheshin.

Bukele ka thënë se do të ketë disa gabime në arrestime, por se këto përfaqësojnë vetëm një diferencë të vogël, një për qind që sistemi do të korrigjojë.

Asnjë lidhje me bandat

Për shkak se autoritetet përdorën fuqi gjithëpërfshirëse të autorizuara sipas gjendjes së jashtëzakonshme dhe nuk hetuan shumë nga akuzat e lidhura me bandat përpara se të kryenin arrestimet, grupet e të drejtave të njeriut i kanë kategorizuar ato si ndalime arbitrare.

Arteaga tha se ndalimet tregojnë një prirje të qartë të diskriminimit ndaj “të rinjve që jetojnë në kushte varfërie” në El Salvador.

Të afërmit me të cilët foli Al Jazeera thanë se anëtarët e familjeve të tyre – të cilët të gjithë akuzohen për “shoqërim të paligjshëm”, një akuzë e përdorur zakonisht kundër anëtarëve të dyshuar të bandës – nuk kanë lidhje me bandën.

Guzman Molina, mësuesi i cili gjithashtu drejton një biznes taksie, ka “punuar gjithmonë me ndershmëri”, tha i afërmi i tij. I afërmi tha se policia e ka kategorizuar atë si anëtar bande pasi kishte një shumë parash mbi të lidhur me biznesin e tij të taksive.

Anëtarët e familjes së Morales Recinos thonë se akuza e “shoqërimit të paligjshëm” buron nga një keqkuptim mbi mbledhjen e pagesave për biznesin e tij të furrës që u keqinterpretua si akuzë për zhvatje për shkak të pranisë së bandës në lagjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore