Libra

Në eksplorim të historisë rebele dhe transformimit modern të magjisë


Libri “Witchcraft” të zhyt në aspektet e shumta të një tradite shekullore në botën perëndimore.

Të end në më shumë se 400 vepra arti klasike dhe bashkëkohore me ese dhe intervista mbi magjinë, tregon e përditshmja “CNN”.

Redaktorja Jessica Hundley i përshkruan ato si “një grup i larmishëm shkrimtarësh, studiuesish dhe praktikuesish të ditëve moderne, secili duke e përqafuar praktikën në mënyrat e veta individuale”.

“Doja të prezantoja magjinë përmes simbolizmit dhe artit, por edhe këndvështrimeve të freskëta personale”, ka shpjeguar Hundley.

Ajo ka treguar se është punuar për të prezantuar temën e magjisë në një mënyrë që ngjan “gjithëpërfshirëse dhe më pak frikësuese”.

Me mbi 500 faqe, përmbledhja përfshin historinë e magjisë dhe përfaqësimin e shtrigave në letërsi dhe përralla, veglat e zanatit dhe ritualet që kanë qenë prej kohësh pjesë e tij.

Ka gjithashtu seksione kushtuar modës, mediave krijuese dhe shtrigës në filma dhe kulturën popullore.

Një histori e energjisë dhe rebelimit femëror

Teksa fjala “shtrigë” i ka rrënjët etimologjike në anglishten e vjetër, prejardhja e ‘shtrigës perëndimore’ mund të gjurmohet në mitologjinë greke dhe traditat më të hershme popullore të Egjiptit, Evropës Veriore dhe Keltëve.

Çdo kulturë e përfaqësonte figurën mistike në mënyra të ndryshme, megjithatë disa nga tiparet e saj u përsëritën nëpër vende gjeografikisht të përhapura: një shtrigë ishte një perëndeshë e fuqishme, shpesh e lidhur me shtëpinë dhe dashurinë, por edhe vdekjen dhe magjinë.

Mbi të gjitha, ajo ishte një shenjë e feminitetit kompleks.

“Ikonografia e shtrigës, ndërkohë që është zhvendosur gjatë shekujve, është rrotulluar gjithmonë rreth idesë së fuqisë femërore dhe ka reflektuar qëndrimet në ndryshim të shoqërisë ndaj saj”, ka thënë bashkëredaktorja e librit, Pam Grossman.

Teksa krishterimi me në qendër mashkullin u përhap në të gjithë Evropën në shekullin e Xl-të, perceptimet e feminitetit ndryshuan.

Të ashtuquajturat shtriga nisën të konsideroheshin si të jashtëzakonshëm brenda komuniteteve të tyre, të frikësuara dhe të izoluara për lidhjen e tyre të supozuar me djallin.

Deri në shekullin e XlV-të, imagjinata kolektive i kishte kthyer shtrigat në të dëbuara heretike. Dhe për tre shekujt e ardhshëm, gjuetitë dhe ekzekutimet e shtrigave do të përfshinin Botën e Vjetër dhe të Re.

“Imazhi i shtrigës që është kristalizuar në mendjet tona – ai i një gruaje djallëzore, të frikshme – lindi pikërisht nga kjo periudhë”, ka treguar Grossman, e cila është gjithashtu shkrimtare, kuratore dhe mësuese e praktikës magjike.

Për të, “ardhja e shtypshkronjës, në veçanti, ndihmoi vërtet në popullarizimin e saj. Çka ajo ishte në të vërtetë, ishte edhe më e frikshme: një grua kërcënuese”.

Në të vërtetë, ajo që del nga “Witchcraft” është se shtrigat dhe praktika e tyre kanë qenë prej kohësh një metaforë për gratë që duan autoritet mbi jetën e tyre.

Duke shfletuar librin, i cili përmban vepra me emra të ndryshëm si Auguste Rodin, Paul Klee dhe Kiki Smith, është e vështirë të mos vërehet se si kaq shumë prej tyre i përfaqësonin shtrigat si krijesa të egra dhe të fuqishme, shkruan “CNN”.

“Qofshin të moshuarat apo bukuroshet e reja hiperseksuale, ato janë mishërimi i një shpirti rebel që dëshiron të përmbysë status quo-në”, ka thënë Grossman.

Një ringjallje shtrigash

Në shekullin e XVlll-të dhe në fillim të shekullit të XlX-të, kur persekutimi i shtrigave përfundoi dhe magjia filloi të njihej si mbetje e fundit e adhurimit pagan, figura magjike u riformulua edhe një herë.

Kësaj here, ajo u bë një subjekt fantastik, si dhe një simbol i tërbimit, pavarësisë, lirisë dhe feminizmit.

Magjia e rimori popullaritet në vitet 1960 pasi feminizmi i valës së dytë i pa shtrigat dhe besëlidhjet e tyre si shprehje të fuqisë femërore dhe matriarkatit.

Praktika bëri një rikthim tjetër gjatë viteve 1990, pas dëgjesave të Anita Hill dhe rritjes së feminizmit të valës së tretë dhe sërish në vazhdën e zgjedhjeve të Donald Trump në vitin 2016 dhe lëvizjes #MeToo.

Gjatë katër viteve të fundit, praktika është përhapur ngado.

“Mendoj se për shumë gra, shtriga ka ardhur për të përfaqësuar një alternativë ndaj pushtetit institucional, si dhe një mënyrë për të shfrytëzuar spiritualitetin e tyre në një mënyrë që nuk ndërmjetësohet nga dikush”, ka shpjeguar Grossman.

Ndërkaq, rrëfimi magjik ka evoluar edhe në ekran dhe “Witchcraft” ia kushton faqet e tij të fundit pikërisht kësaj, shkruan “CNN”.

“Pavarësisht nëse ato futin frikën, joshin, përdorin dhunën apo veprojnë për të mirën më të madhe, mënyra se si artet pamore i portretizojnë shtrigat është gjithmonë reflektues i momentit kulturor ku ato bëjnë pjesë”, ka dalluar Hundley.

Përgjatë shekujve, çka ka mbetur e pandryshuar është se vetë natyra e shtrigës është që të përmbajë të gjitha këto arketipe brenda saj në çdo kohë.

“Magjia është në një gjendje evolucioni të vazhdueshëm. Ajo është ndërruese formash”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore