Lajme

Ndalohet një person në Leposaviq pasi hyri ilegalisht nga Serbia


Mitrovica e Veriut.

Një person është ndaluar në fshatin Joshanicë të Leposaviqit i cili dyshohet se ka kaluar ilegalisht kufirin Kosovë – Serbi.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.

Gjatë kontrollimit në automjet është gjetur ngarkesë me mallra të ndryshme ushqimore, automjeti i cili është dërguar në doganë.

Ndërsa i dyshuari është thënë se është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se në Vushtrri është raportuar se ka gjetur një granatë dore.

Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Ankuesi kosovar ka raportuar se ka gjetur një granatë dore. Njësia patrulluese ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësia e PK-së për deminim e ka shpërthyer mjetin e dyshimtë në mënyrë të kontrolluar dhe pa incidente. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim

Gjithashtu, ky institucion i sigurisë ka njoftuar se në dy raste, është raportuar se janë vjedhur paratë e mbledhura për bamirësi në objektet e kultit fetar në Gjilan.

Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rastet janë iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe se rasti i parë ka ndodhur më 14 janar, kurse i dyti më 16 janar.

“Gjilan / 14.01.2024 – 12:45. Ankuesi kosovar ka raportuar se një person i panjohur dyshohet se ka hapur me dhunë kasafortën e një objekti të kultit fetar dhe nga aty ka vjedhur një sasi të parave që ishin mbledhur për bamirësi”, thuhet në njoftim lidhur me rastin e parë.

Edhe rasti i dytë, sipas Policisë, sikurse ai i pari, kishte ndodhur në mesditë.

“Gjilan / 16.01.2024 – 14:00. Ankuesi kosovar ka raportuar se nga person/a të panjohur dyshohet se është vjedhur kasaforta e një objekti të kultit fetar në të cilën ishte një sasi e parave që ishin mbledhur për bamirësi”, thuhet në njoftim.

Për të dyja rastet është thënë se vazhdojnë të jenë nën hetime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore