Sport

Napoli po shpallet kampion pas 33 vjetësh, tifozët rrezikojnë ta prishin festën


Edhe pse Napoli është në prag të fitimit të titullit kampion në Serie A në më shumë se 30 vjet pritje, disa tifozë të tyre po shkaktojnë shqetësim për trajnerin, Luciano Spalletti-in dhe presidentin e klubit, Aurelio De Laurentiis dhe rrezikojnë të prishin festën e tyre të shumëpritur.

Spalletti ishte i acaruar në “San Siro” të mërkurën mbrëma pas humbjes 1:0 të ekipit të tij ndaj Milan-it në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ai jo vetëm që ishte i pakënaqur me rezultatin apo disa vendime të arbitrit, por gjithashtu dërgoi një mesazh të qartë për tifozët e Napolit.

“Po e fitojmë kampionatin pas 33 vitesh pritje. Ne po luanim një ndeshje të rëndësishme dhe duke parë që gjithçka kundër të gjithëve – ‘tutti contro tutti’ – përsëri është diçka që nuk do të mund ta kuptoj kurrë dhe që do ta mbaj gjithmonë për vete”, tha ai në një konferencë për shtyp pas ndeshjes.

“Nëse e njëjta gjë ndodh gjatë ndeshjes së kthimit, unë do të largohem nga pankina dhe do të shkoj në shtëpi. Sepse është diçka e pashpjegueshme”, kishte thënë Spalletti.

Por, për këtë fjalinë e fundit, çfarë deshi të thonte tekniku italian?

Në ndeshjen e parafundit në kampionat, Napoli u mposht me rezultat 0:4 në shtëpi, pikërisht nga Milan-i.

Atë ditë, napolitanët nuk morën mbështetjen e zakonshme nga tifozët e tyre vendas, të cilët qëndruan të heshtur për pjesën më të madhe të lojës, përveç kur filluan të fyenin presidentin e klubit, kur dy grupe ultras u panë duke u përplasur.

Ultrasit e Napolit janë të pakënaqur me rritjen e çmimeve të biletave për ndeshjen e kthimit kundër Milan-it dhe disa kufizime të vendosura nga autoritetet lokale dhe klubi, veçanërisht pas përplasjeve mes ultrasve të Napolit dhe Romës në autostradën A1 në janar.

Lidhur me këto ngjarje kishte reaguar presidenti i klubit napolitan, duke u distancuar dhe duke i dënuar sjelljet e këtyre tifozëve.

Për këtë arsye, ata nuk e mbështetën skuadrën në ndeshjen e fundit në shtëpi me Milan-in dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në ndeshjet e radhës në ligë.

Kjo ka shkaktuar shqetësim për Spallettin dhe të gjithë në klub, duke filluar nga kapiteni, Giovanni Di Lorenzo, i cili u ka kërkuar mbështetësve të klubit të ofrojnë mbështetjen e zakonshme kur kuqezinjtë do të kthehen në Napoli në javën e ardhshme.

Paradoksi për Napolin do të ishte të shihte festimet e shumëpritura të Scudetto-s të prishura nga një pakicë tifozësh që janë kundër De Laurentiis dhe mënyrës se si ai e ka menaxhuar klubin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore