Shqipëria

Nano takon drejtorët e Policisë- Fokusi te parandalimi i krimeve dhe kapja e personave në kërkim


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të mërkurën e 5 janarit, ka zhvilluar një mbledhje me drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë.

Gjatë takimit, theksi u vu te marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Gjithashtu, ai u ka kërkuar drejtorëve të policisë të zhvillojnë një analizë vjetore, ku do të nxirren problematikat e sistemit policor.

Po ashtu, edhe thellimi i veprimeve hetimore ishte pikë kyçe që Nano ka diskutuar, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, ishte pjesë e diskutimeve mes drejtorëve të DVP-ve.

Ai njoftoi gjithashtu se sot fillojnë në terren 443 kursantët e rinj, për të cilët kërkoi nga drejtorët vendorë  që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë.

Ky takim zhvillohet pas atentatit të ndodhur në zonën Don Bosko të Tiranës, ku mbeti i vdekur një person ndërsa katër të tjerë u plagosën.

Të shtënat me armë zjarri kanë tronditur Tiranën mbrëmjen e 4 janarit.

Sipas informacioneve paraprake, i vdekur ka mbetur shtetasi E. Ç., 35 vjeç, ndërsa janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.

Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore