Lajme

Na ishte një herë e një kohë një Perëndim që s’e kritikonte Kosovën


Ilustrim: Albin Kurti

“Once Upon a Time in The West” është titulli i filmit të zhanrit “Western” të regjisorit italian Sergie Leone dhe titulli i një kënge të grupit legjendar britanik “Dire Straits” nga albumi “Communiqué” që në thelb përdoret për portretizimin e një epoke tashmë të vdekur, ndërsa e ardhmja mbetet e paqartë.

Kur analizon qasjen e Perëndimit në raport me Kosovën në Seancën e Jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, thirrur nga Serbia, është e pashmangshme të mos kujtohet kjo frazë e cila është lajtmotivi e disa prej këngëve dhe filmave më ikonike të shekullit të kaluar.

Në betejën retorike dhe argumentuese përballë një politikani konspiracionist si Aleksandër Vuçiç, të enjten, fitues doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por, jo edhe në raport me kanalizimin e mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar në fushën e Kosovës.

Albin Kurti të enjten u përballë me kritika të ashpra nga aleatët në një seancë të një organizate që është streha e plotë 193 shteteve.

Pavarësisht argumenteve të llojit se vendimi i BQK-së “s’e ndalon dinarin në territorin e Kosovës” ose “ky vendim nuk është kundër komuniteti serb në Kosovë” apo “ne vetëm po zbatojmë një nen të Kushtetutës”, ambasadorët e vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit u shprehën haptazi se nuk po pajtohen me veprimin e fundit të institucioneve të Kosovës.

Ata vlerësuan se vendimi për këtë çështje është marrë pa përgatitje të duhur.

E para e cila hapi derën e kritikave ndaj Kosovës ishte Ambasadorja e SHBA-së në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield.

E drejtpërdrejtë dhe me tone kritike diplomatja amerikane kërkoi që Kosova ta pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së, meqë sipas saj, vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me komunitetin serb.

“Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” sa i përket mbylljes së zyrave paralele të Serbisë në Kosovë.

“Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, vlerësoi ajo.

Andaj ajo bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

Në anën tjetër një qasje më të butë – në krahasim me atë amerikan –  tregoi Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në KS të OKB-së i cili kërkoi që Kosova të hartojë një plan të qartë për t’u siguruar që të gjithë serbët e Kosovës mund të vazhdojnë të pranojnë të ardhurat e tyre në dinar deri në një zgjidhje të qëndrueshme.

Kosova, sipas tij, duhet t’i ushtrojë kompetencat e saj sovrane në një mënyrë që është në përputhje me vizionin e një demokracie multientike, e rrënjosur në zemër të Kushtetutës së Kosovës.

“Përmes veprimeve të fundit të saj, Banka Qendrore e Kosovës ka synuar që ta përmbushë përgjegjësinë e vet për ta rregulluar operimin e valutave të huaja, por zbatimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës deri më tani ka shfaqur konsideratë të pamjaftueshme për ndikimin ndaj komuniteteve pakicë të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Kritika me nuanca më diplomatike parashtroi edhe përfaqësuesi i Francës në KS të OKB-së, Nicolas de Rivière, i cili mirëpriti deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nëpërmjet së cilës garantoi një periudhë tranzitore për çështjen e dinarit, duke e cilësuar një hap shumë pozitiv.

Por, diplomati francez njëkohësisht kërkoi që vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të pezullohet.

Ai theksoi nevojën për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë tutje situatën në terren, ndërsa ftoi të dyja palët të riangazhohen në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe zbatimin e marrëveshjeve.

Duke folur për çështjen e strukturave paralele ilegale serbe në Kosovë, ambasadori francez tha se kjo temë duhet të zgjidhet nëpërmjet themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shumë komentatorë politik e analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare e cilësuan si dështim diplomatik paraqitjen e Kurtit në seancën e KS të OKB-së meqë, sipas tyre, me vendimin për Dinarin, Kosova në sytë e aleatëve të saj të enjten u paraqitë si “fajtore” duke dëmtuar kështu edhe “interesin nacional të vendit”.

Kishte edhe nga ata që argumentuan se seanca e djeshme në OKB është dëshmia më e qartë se mungesa e bashkërendimit të veprimeve me aleatët “shkakton pasoja për Kosovën”.

Këto pasoja mund të përfundojnë në mënyrë fatale për vendin marrë parasysh qëndrimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ku mes rreshtash la të nënkuptohet se Rusia mund ta ndihmojë Serbinë për kthimin e saj në Kosovë.

Në një intervistë, të gjatë 2 vjet pas agresionit rus në Ukrainë, dhënë për gazetarin kontrovers amerikan, Tucker Carlson, Putin foli në një pjesë edhe për luftën në Kosovë, duke thënë se intervenimi i NATO-s dhe bombardimi i Beogradit ishte momenti kur amerikanët “nxorën xhindin nga shishja”.

Putin, i cili u kthye prapa në histori tentoi të argumentojë se si Rusia deshi t’i afrohej perëndimit dhe bëri hapa para, por nuk u mirëprit. Gjithashtu, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepruan kokë në vete duke shkelur ligjet ndërkombëtare për ta bombarduar Serbinë, ku për Putinin për herë të parë u bë e qartë që ligji ndërkombëtar po shihet nga amerikanët si diçka i tejkaluar.

“A ju kujtohen zhvillimet në Jugosllavi. Boris Jelcin (presidenti rus) ngriti zërin në mbështetje të serbëve. E kuptoj se ishin procese komplekse që ndodhnin atje. Serbët janë për ne popull special dhe i afërt me kulturë ortodokse. Është një komb që ka vuajtur kaq shumë për gjenerata me radhë. Nejse, çfarë është e rëndësishme, është që Jelcin dha përkrahjen e tij, por çfarë bënë SHBA-të? Në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara bombarduan Beogradin. Ishin SHBA-të që nxorën xhindin nga shishja”, deklaroi Putin.

Kosova aktualisht gjendet në një udhëkryq politik ku në njërën anë pranon kritika të ditëpërditshme për dy vjet rresht nga shtetet të cilët mundësuan lirin dhe pavarësinë e saj dhe në anën tjetër kërcënohet nga shtete si Serbia që kanë oreks – duke u thirrur në mite historike njëjtë si Rusia – territorial mbi Kosovën.

Çfarë mban e ardhmja e tregon koha, por njëjtë si titulli i këngës/filmit, nga seanca e djeshme mund të thuhet se “na ishte njëherë një kohë” kur Perëndimi rreshtohej krejtësisht në anën e Kosovës.

Tani, për 1 milion arsye që mund të diskutohen në një rast tjetër, Kosova më s’e ka mbrojtjen e pakushte të politikës amerikano-perëndimore.

Veç 25 vjet nga mizoritë e shkaktuara mbi shqiptarët në Kosovë, përfaqësuesit kosovarë në OKB u panë edhe si fajtorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore