Lajme

Mytaher Haskuka dhe tre ish-deputetë të tjerë dënohen me nga 1 vit heqje lirie


Gjykata Themelore në Prishinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Mytaher Haskukës, Enver Hotit, Shqipe Pantinës dhe Teuta Haxhiut, duke i dënuar secilin veç e veç me nga 1 vit burgim me kusht, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Enver Hoti, dënohet me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Po ashtu, Haskuka, u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Tutje, Pantina u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Njësoj u dënua edhe Haxhiu, me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

“Obligohen që secili veç e veç, të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën për 50 euro, ndërsa nga 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka e Haxhiu pranuan fajësinë për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, edhe pse në fillim të seancës të njëjtit u deklaruan të pafajshëm.

Mirëpo, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij, avokatin Haxhi Millaku, i akuzuari Hoti, pranoj fajësinë për veprën që i vihej në barrë.

“Pas pauzës patëm kohë të mjaftueshme që gjykata na ofroi mundësinë për t;u konsultuar dhe ne i sqaruam të gjitha dilemat qoftë në aspektin procedural dhe të ligjit material, me të mbrojturin tim, i cili pranoi këshillën e mundësisë ligjore që në këtë çështje penale sipas akuzës me numër e datë, vendosëm që të pranojmë fajësinë”, tha avokati Millaku.

Po ashtu, fajtorë u deklaruan edhe të akuzuarit tjerë, Pantina, Haskuka dhe Haxhiu.

Sipas deputetëve tashmë të dënuar, veprimi i tyre ka qenë për interes shtetëror në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Të njëjti deklaruan se në kohën kur kishin ndërmarrë këto veprime nuk kishin pasur njohuri se një veprim i tillë përbën vepër penale, mirëpo tani e tutje ata thanë këtë e kanë kuptuar.

Në aktakuzën e përpiluar më 15 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Enver Hoti, Shqipte Pantina, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Rexhep Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore