Lajme

MV/Filipçe: Priten 8 mija doza nga Serbia


Gjatë ditës së mërkurë, më 23 shkurt, ministri i Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), Venko Filipçe, do të presë dhurimin e dytë të dozave të vaksinës anti-Covid nga Serbia.

Sipas njoftimeve dhurimi do të bëhet nga homologu i Filipçe-s, ministri i Shëndetësisë në Republikën e Serbisë, Zlatibor Lonçar.

Delegacioni nga Serbia po pritet në pikën kufitare Tabanoc nga Filipçe. Ky delegacion do të dorëzojë në RMV 8 mijë doza vaksine anti-Covid nga kompania “Pfizer”.

Nga mesi i shkurtit Serbia i ka dhuruar RMV-së 4 mijë e 680 vaksina.

Deri më tani në RMV, janë vaksinuar 1 mijë e 155 punonjës të shëndetësisë. Gjatë ditëve në vijim pritet të vaksinohen dhe pjesa tjetër e personelit mjekësor. Gjithashtu sipas skemës së Qeverisë, të dytët që do të vaksinohen, do të jenë nga radhët e të moshuarve.

Përveç vaksinave të dhuruara nga Serbia, pritet që në RMV, të mbërrijnë 200 mijë vaksina nga kompania kineze “Sinopharm”.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë pasur dy shtetet fqinjë Bullgaria dhe RMV-ja, qeveritë përkatëse në dhjetor 2020 arritën një marrëveshje. Nga kjo marrëveshje, priten dozat e vaksinës që do të dhurohen nga Bullgaria.

RMV-ja ka pasur 3 mijë e 85 humbje jete, që nga shfaqja e coronavirus-it. Raste aktive në total janë 99 mijë e 917, ndërsa të shëruar 90 mijë e 96 njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore