Shqipëria

Muxhahedinët kërkojnë ndihmën e Johansson


“U informova se do të shkoni në Shqipëri sot për një vizitë dy ditore. Do të takoni zyrtarë të lartë shtetërorë aty, për të folur mbi çështjet e integrimit evropian. Në emër të komunitetit MEK që po vuan në Shqipëri, dua t’Ju kërkoj ngritjen e zërit për të drejtat tona”.

Ky pasazh, është i shkruar në një letër që kreu i Shoqërisë Nejat, Ebrahim Khodabandeh, i ka shkruar Komisioneres Evropiane mbi Çështjet e Sigurisë, Ylva Johansson.

“Prej 2016-ës, muxhahedinët ndodhen në Manzë, në një kamp të largët dhe të izoluar”, shkruan Khodabandeh. “Atyre nuk u lejohen takimet me të afërmit. Madje, nuk kanë dëgjuar as zërat e fëmijëve, apo të kenë marrë një mesazh prej tyre”.

Duhet kujtuar se ky komunitet, u soll në Shqipëri në bazë të një marrëveshjeje me SHBA-në. Vendodhja e kampit, përfshi financimin, u bë nga vetë muxhahedinët. Pikërisht për këtë fakt, nuk mund të themi se ata po mbahen forcërisht në kampin e ndërtuar.

Sipas pretendimeve të Khodabandeh-ut, “qindra letra janë dërguar nga familjet e tyre drejt institucioneve shqiptare”. “Pavarësisht kërkesave të MEK-ut, Qeveria Shqiptare nuk garanton viza për shtetasit iranianë, që të vizitojnë familjarët e tyre në kamp”.

Shqetësim tjetër i ngritur ka qenë shpërthimi i pandemisë dhe kujdesi ndaj njerëzve në kamp. “Dhjetëra pjesëtarë të organizatës kanë vdekur nga Covid-19. Mungesa e kujdesit shëndetësor po vështirëson jetesën aty”.

Komisioneres Johansson i është kërkuar të kërkojë llogari në fund të letrës, për gjithë çështjet e parashtruara.

Reagim nga zyrtarja e lartë e BE-së, nuk ka pasur ende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore