Lajme

Murati: Thesi i shqyer është qepur – Financat publike janë kthyer në binarë


Hekuran Murati

Ministri i Ekonomisë, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se për herë të parë është zvogëluar shuma e shpenzimeve në raport me të ardhurat duke arritur kështu rekord historik.

“Financat publike janë kthyer në binarë dhe thesi i shqyer është qepur. Jemi kujdesur që të mos shkaktojmë barrë të paqëndrueshme financiare e të mos rrisim borxhin publik, përkundër faktit që kishim pakot mbështetëse më voluminoze në rajon”, shkroi Murati.

Murati përmes një grafikoni ka paraqitur ecurinë e deficitit të përgjithshëm që ishte projektuar para se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit të merrte mandatin, shënuar me linjën e kuqe.

Sipas grafikonit, deficiti buxhetor në vitin 2018 ishte minus 177.2 milionë euro, në vitin 2019 ishte minus 205.3 milionë euro, në vitin 2020 ishte deficiti tejet i madh me minus 512.7 milionë euro, ndërsa deficiti buxhetor në vitin 2021 minus 104 milionë euro.

Ndryshe, opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Paralelisht vazhdon pingpongu i pushtetit dhe opozitës se kush ka më shumë faj. Me diskurs krejt të ndryshëm po u përgjigjen edhe thirrjeve e presioneve perëndimore për zbatimin e Planit Evropian, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore