Kosova

Murati – opozitës: Jeni hipokritë, qaheni për jetën e qytetarëve dhe më pas bllokoni nismat për qytetarët


Ministri i Punës, Transfereve dhe Financave, Hekuran Murati.

Ministri i Punës, Transfereve dhe Financave, Hekuran Murati, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar deputetët opozitarë për dërgimin e ligjit për çmimin tavan në Gjykatën Kushtetuese, duke i konsideruar ata krejtësisht hipokritë, sepse po tentojnë të ndalojnë një ligj që ndihmon qytetarët, derisa me deklarata qahen për hallet e tyre.

“Ne e kemi kaluar një ligj për çmimet tavan të cilin ju nuk e keni votuar dhe e keni dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarket çon një ligj të tillë në Kushtetuese”.

“Në njërën anë qaheni se qytetarëve u është bllokuar jeta e në anën tjetër tentoni të bllokoni çdo tentativë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve”, tha Murati.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, si një nga deputetët që dërgoi ligjin në kushtetuese tha se duhej ta bënin patjetër, meqë ligji ishte anti-kushtetuese dhe rrjedhimisht “rrezikonte të gjithë marketet e mesëm dhe të mëdhej”.

Murati prapë i replikoi, duke provuar, sic tha, të nxjerr hipokrizinë e tyre në pah.

“Nëse ju intereson kaq kushtetutshmëria në këtë vend, pse nuk e dërgonit edhe monopolin e homologimit në Gjykatë Kushtetuese ?Por, përkundrazi, kur e kemi sjellur ne ligjin që ta ndalojmë atë monopol ju keni votuar kundër”, deklaroi Murati.

Ai më pas vazhdoi duke lëvduar ligjin për buxhetin që ka sjellur qeveria në Kuvend dhe në përgjithësi shpërndarjen buxhetore që po bën Qeveria.

“Të nderuar deputetë, vetëm nëse jeni që i kaloni këto projektligje si Vettingu, se buxheti nuk mungon. Të njëjtën gjë ju kujtoj e keni thënë edhe për Gjykatën Komerciale, e njëjta gjë është thënë se nuk ka buxhet, por ja që e kemi një Gjykatë Komerciale funksionale tashmë, do të thotë nuk është çështja të buxheti”.

Besian Mustafa.

Po ashtu, Murati, opozitës i tha se kur keni pasur mundësinë që të veproni për ta përmirësuar situatën, nuk e keni bërë.

“U thanë shumë gjera, që si opozitë normalisht keni drejt t’i thoni, por edhe ne si qeveri kemi të drejtë ta kthejmë pasqyrën tek ju dhe të ju tregojmë se çka keni bërë kur keni qenë në pushtet, se tash si opozitë po i kërkoni”.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Musatafa, është arsyetuar për dërgimin e Ligjit për çmimet tavan në Kushtetuese, duke thënë se “me të falimentojnë bizneset e vogla dhe të mesme”.

“Për ligjin për çmimet tavan e kemi dërguar në Kushtetuese se me të i falimentoni bizneset e vogla dhe të mesme. Kushtetuesja ta japë fjalën e vetë”, ka thënë Mustafa.

Sërish, Murati i është kundërpërgjigjur duke i kërkuar përgjigje se, “pse nuk është dërguar në Kushtetuese edhe monopoli për homologim”.

Më 16 nëntor, deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore