Lajme

Murati ftohet për interpelancë të enjten


Ministri i Fianancave, Hekuran Murati.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur për seancën e radhës, e cila do të mbahet të enjten në të cilën është ftuar në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati nga opozita.

Këtë e ka bërë të ditur anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Për presionin që e ka bërë në pushtetin lokal gjatë grevës. Për ne, roli i Qeverisë është që të ndihmojë Kosovën në situata të vështira dhe jo që me vendime arbitrare të pengojë punën e organizatave buxhetore në këtë rast të komunave dhe po ashtu të bëjë presion tek administrata shtetërore në reforma të ndryshme”, deklaroi Tahiri.

Ai në një konferencë për media ka thënë se presioni politik tek grevistët ka nisur që nga 25 gushti duke e konsideruar ndalimin e pagave si “hakmerrje politike”.

Besnik Tahiri.

“Presioni politik tek grevistët ka filluar që nga dita e parë dhe po vazhdon me ndalimin e pagave. Këtë çështje do ta trajtojmë edhe në interpelancë për shkak që është një çështje absurde në esencë është një hakmarrje politike”.

I pyetur rreth Integrimit Evropian të Kosovës, Tahiri, ka sqaruar se janë disa procese të rëndësishme që duhet të përfundohen.

“Integrimi Evropian është rrugë një kaheshe e Republikës së Kosovës. Kosova është vendi më i diskriminuar në kontinentin e vjetër ajo që duhet të ndodh duhet të ndodh fillimisht liberalizimi dhe pastaj që është më e rëndësishme është që duhet të trajtohet çështja e njohjeve të pesë vendeve të cilat akoma nuk na njohin, mosnjohja e tyre po na pengon edhe në procesin e integrimit euroatlantik në NATO, po na pengon edhe në çështje të tjera”.

Ndryshe, pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Ndërsa grevistët akoma janë pa pagë për muajin shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore