Lajme

Murale të grupit paraushtarak rus “Wagner’s” shfaqen në Veri – policia nis hetimet


Foto: Albanian Post.

Murale që portretizojnë grupin paraushtarak rus “Wagner’s”, janë shfaqur në mure të objekteve në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, nga ky institucion është thënë se hetimet kanë nisur.

“Mitrovicë Veri 22.01.2023 – NN. Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe “WAGNER”. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”.

Murali “Wagner’s” në Veri

Ndërkaq në Zveçan, mbishkrime të tilla janë paraqitur në tabelat e komunikacionit.

“Zveçan 22/23.01.2023 – NN. Është raportuar se në  në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime “WAGNER”. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”.

Çfarë është Wagner?

“Wagner’s”, i cilësuar shpesh si një ushtri mercenare, është themeluar në vitin 2014 nga shtetasi rus, Yevgeny Prigozhin, i cili është person i afërt me Kremlinin.

Vitin e themelimit të kësaj ushtrie private, Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë.

Kompania është akuzuar për krime të mundshme lufte në Ukrainë, Siri dhe vende të ndryshme afrikane.

Njësia është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) që nga dhjetori i vitit 2021 për shkelje të të drejtave të njeriut në konfliktet e armatosura në mbarë botën.

Kjo organizatë ka qenë gjithashtu në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga qershori i vitit 2017, për shkak të përfshirjes në konfliktet në lindje të Ukrainës.

Më 4 nëntor, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se grupi Wagner hapi një qendër të teknologjisë ushtarake në Shën Petersburg, Rusi, me qëllim të tërheqjes së bizneseve të reja dhe kompanive që merren me teknologjinë industriale, “me ide të reja që janë gati për t’u aplikuar në sferën e mbrojtjes kombëtare”.

Në hapje ishin të pranishëm veteranë ushtarakë dhe ekspertë të IT-së, siç kishte raportuar Reuters, dhe një kamion i parkuar para qendrës e kishte të shënuar shkronjën “Z” – një nga simbolet e pushtimit rus të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore