Lajme

Mungojnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dështon Komisioni për shqyrtimin e peticionit të Sindikatës së Policisë


Komisioni për të Drejtat e Njeriut

Në mungesë të kuorumit Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, nuk ka mundur të mbajë një mbledhje të rregullt ku ishte paraparë të shqyrtohej peticioni i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Në mbledhjen e thirrur për të premten munguan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq kryetarja e këtij komisionit, Duda Balje, tha se anëtarët nga partitë opozitare kanë vendosur të dëgjojnë sindikatën edhe pse nuk kanë kushte për mbledhje.

“Sipas rregullores nuk kemi plotësuar kushtet për vazhdimin e mbledhjes pasi nuk kemi kuorum. Por kemi bë një marrëveshje me deputetët e pranishëm që të respektojmë sindikatën dhe të dëgjojmë prej juve peticionin që keni sjellë tek ne”, tha Balje.

Kësisoj, kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri derisa ka ritheksuar kërkesat e Policisë së Kosovës, tha se sigurimi shëndetësor mbetet shumë i nevojshëm, ndërsa ka shtuar se nga implementimi i Ligjit për Paga, policia ende nuk ka marrë shtesa të rrezikshmërisë.

Duke folur për peticionin, Zeqiri, tha se e kanë nënshkruar këtë peticion me qëllim që policët t’i pasqyrojnë kërkesat e tyre.

“Ai është nënshkruar nga 63 për qind e pjesëtarëve, apo 5 mijë e 623 nënshkrime, pjesa tjetër nuk e ka nënshkruar për arsye operacionale. Zyrtari policor i Kosovës kur del në pension merr vetëm pension të pleqërisë. Jemi policia me moshën më të shtyrë”, është shprehur Zeqiri.

Zeqiri ndër të tjera ka thënë se kanë pasur vërejtje edhe sa i përket koeficienteve që janë caktuar në ligjin e pagave për stafin civil edhe të uniformuar.

Ndërsa, nënkryetari i sindikates, Avni Hoti theksoi se policia është në gjendje të rëndë.

Për herë të parë pas 15 vjetëve, policët mbetën pa shtesa për rrezikshmëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore