Lajme

Mungesa e bordit të OShP-së, bllokohen mbi 200 milionë euro


Ilustrim

Të hënën e gjashtë dhjetorit përsëri nuk është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës bordi i Organit Shqyrtues i Prokurimit.

Shoqëria civile po konsideron se numri i ankesave pritet të rritet bashkë edhe me numrin e projekteve të parealizuara shkaku i tyre.

Agon Hysaj, hulumtues në Institutin Demokratike të Kosovës, (KDI) për Albanian Post ka thënë se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka për afërsisht një numër të madh të ankesave e që arrijnë një shumë të lartë të parave të cilat mund të bllokohen.

“Ndikimi është shumë i madh pasi këtu flitet në përgjithësi për tenderë në vlerë të madhe dhe nëse llogarisim afër 700 ankesa që deri tani janë të pashqyrtuar vlera e parashikuar e të gjitha këtyre ankesave është mbi 200 milionë euro”.

Po ashtu, sqaron se “mbi 200 milionë euro janë të bllokuara dhe nuk mund të shfrytëzohen për momentin”.

Hysaj tutje bën të ditur se shkaku i festave të fundvitit dhe përmbylljes së sesionit vjeshtor të Kuvendit, ky proces do të vonohet edhe së paku për rreth katër muaj.

Agon Hysaj, hulumtues në Institutin Demokratike të Kosovës (KDI)

“Vonesa e krijimit të bordit të OShP-së shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale e mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave”.

Gjithashtu, ai i bëri thirrje qeverisë që këtë problem ta trajtojë më seriozisht.

“Tani më që procesi është kthyer në pikën zero, Qeveria duhet ta marrë shumë seriozisht këtë problem dhe të dërgojë sa më parë emrat e rinj në Kuvend”.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka sqaruar se si do të shqyrtohen ankesat dhe realizimi i projekteve nga ky institucion.

“Pasi ankesa i plotëson kushtet për të hyrë në shqyrtim, Kryesuesi i Sekretariatit të OSHP-së, nënshkruan autorizimin për caktimin e ekspertit shqyrtues për te shqyrtuar atë lende”.

“Eksperti shqyrtues brenda afatit ligjor përgatit raportin e ekspertizës dhe me atë raport njoftohen palët në procedure, autoriteti kontraktues (AK) dhe operatori ekonomik (OE) ankues”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për AP.

Tutje, bëhet e ditur se shqyrtimi i ankesës mbetet në këtë fazë sepse hapat e mëtutjeshëm për caktimin e seancës dhe marrjen e vendimeve duhet te ndërmerren vetëm nga bordi i OSHP-së.

Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës për procedurat e përzgjedhjes së bordit të OSHP-së, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Organi Shqyrtues i Prokurorimit (OSHP).

Të hënën e gjashtë dhjetorit, përveç OSHP-së, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të zgjedhë edhe një anëtar të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, derisa zgjedhja e atyre të Këshillit për Miniera dhe Minerale u përcoll me akuza të shumta.

Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013.

Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore