Lajme

MSH: S’ka pasur vonesa të shërbimeve shëndetësore në komunat me shumicë serbe


Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë, ka reaguar ndaj artikullit “12 foshnje kanë vdekur në Kosovë! S’ka oksigjen, katastrofe humanitare në punë”, i cili është publikuar në mediumin serb Banjaluka24.

Nga MSH-ja është demantuar ky raportim duke thënë se këto pretendime janë të “paqëndrueshme dhe të pabaza”.

“Njoftojmë opinionin publik se këto pretendime janë të pa qëndrueshme dhe pa bazë, sepse çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga Komisioni i Donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme”.

“Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar”.

Po ashtu, është sqaruar se edhe pas mbylljes së pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak produktet medicinale kanë hyrë pasi që nevoja për to ka qenë esenciale.

“Edhe përkundër mbylljes së përkohshme të pikave kufitare edhe më herët dhe tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, kanë bërë përjashtim”.

Gjithashtu është theksuar se ministria e Shëndetësisë, është e gatshme në çdo kohë për furnizim dhe çfarëdo mbështetje tjetër që mund të kërkohet nga institucionet shëndetësore të shtrira në të gjithë vendin pa përjashtim.

“Deri më tani,  MSh nuk ka pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike nga asnjë institucion shëndetësore, siç pretendohet në artikullin e gazetës online “Banjaluka24.com”.

Edhe më 3 tetor, ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për media, kishte mohuar në mënyrë kategorike pretendimet për mungesë të furnizimeve me barna e materiale shëndetësore për qytetarët në komunat veriore të Kosovës.

Këto pretendime, siç thuhej në komunikatën për media, janë të pabaza dhe tendencioze.

Marrë për bazë faktin se një nga pretendimet lidhet edhe me pikat kufitare, Ministria e Shëndetësisë, është sqaruar se përveç pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që qëndrojnë të mbyllura për arsye të sigurisë, pika tjetër në Merdare është e hapur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore