Lajme

MPJ e Norvegjisë për Albanian Post rreth arsyeve të largimit të ambasadës nga Kosova


Ministrja e Puneve te Jashtme te Norvegjise, Anniken Huitfeldt

Norvegjia ka vendosur që ta mbyllë Ambasadën e saj në Kosovë (dhe disa vende tjera) për shkak se do të përqendrohet në misione diplomatike në një pjesë tjetër të shteteve evropiane

Albanian Post ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë për arsyet e kësaj tërheqje nga Kosova dhe zëdhënësja e MPJ-së norvegjeze, Tuva Bogsnes, ka thënë se të gjitha shpjegimet e mundshme janë dhënë në arsyetimin e ministrisë se “për shkak të ndryshimeve të shpejta politike dhe të sigurisë në Evropë, Norvegjia duhet t’i forcojë disa misione diplomatike, veçanërisht disa misione në Evropë”.

“Stafi në disa misione do të rritet për të mundësuar mbështetje më të madhe të sektorit të biznesit norvegjez”, thuhet në shpjegimin e MPJ-së.

Këto ndryshime po bëhen, sqarohet tutje, pasi “diplomatët norvegjezë shërbejnë si sytë, veshët dhe zëri jonë në Evropë, prandaj na duhen në terren tani më shumë se kurrë”, thotë Ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt.

“Bota vazhdimisht ndryshon dhe shërbimi jonë i jashtëm duhet të jetë i përgatitur për këto ndryshime”, tha Huitfledt.

Ambasada e Norvegjise ne Kosove

Ku po rritet dhe ku po shuhet prezenca norvegjeze?

Njoftimi i MPJ-së së Norvegjisë tregon se me fillim të vitit 2023, përveç Kosovës, misionet diplomatike do të mbyllen edhe në Sllovaki, Shri Lana, Madagaskar dhe një Konsullatë në Huston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëdhëniet diplomatike, nga viti 2023, ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë do të zhvillohen përmes marrëveshjeve alternative, pra përgjegjësia në këtë rast do t’i jepet një ambasade norvegjeze që gjeografikisht është afër me Kosovën, ose një ambasador me bazë në Norvegji do të emërohet për Kosovë.

Stafi nga këto njësi diplomatike që po zhbëhen do të bartët në disa shtete të tjera.

Nga viti i ardhshëm, numri i stafit diplomatik në ambasadën e Norvegjisë në Rumani do të rritet, dhe gjithashtu rritje do të ketë në Ukrainë e Lituani.

Staf shtesë do të dërgohet edhe në Misionin e Norvegjisë në Bashkimin Evropian dhe në delegacionin e përhershëm të Norvegjisë në NATO, në Bruksel.

Rritje, thonë nga MPJ norvegjeze, do të ketë edhe në disa shtete të tjera evropiane, por emrat nuk janë bërë të ditur.

Por, bëhet e ditur se Ambasada norvegjeze në Bukurshet ka përgjegjësi po ashtu edhe për Moldavinë dhe Bullgarinë, kurse ambasada në Vilnius të Lituanisë do të ketë përgjegjësi për Bjellorusinë.

Takim i ambasadorit norvegjez me presidenten Osmani

Norvegjia e kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur në mars të vitit 2008, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe ambasada mbretërore e Norvegjisë në Prishtinë u hap në tetor të po atij viti.

Ambasada gjendet në një nga pozicionet më qendrore të qytetit të Prishtinës, në Lagjen Pejton.

Ambasador aktual i Norvegjisë në Kosovë është Jens Erik Grøndahl, i emëruar në vitin 2019.

Më parë kishte mbajtur pozitat e zëvendësdrejtorit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe drejtorit të Departamentit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore