Lajme

Mosha reale kundrejt asaj biologjike: Startup-i që zbulon moshën e vërtetë


Në fund të vitit të kaluar, 30-vjeçari Jay Chan, inxhinier detar, i bleu nënës së tij një test moshe biologjike nga Elysium.

Një startup, me bazë në New York, themeluar në vitin 2014.

Testi ishte i thjeshtë. Kërkonte vetëm një mostër të pështymës.

Për fansat e “lëvizjes së jetëgjatësisë” si Chan, koncepti i moshës biologjike është çlirues.

Sepse mosha biologjike synon të përcaktojë sasinë e plakjes së funksioneve të trupit dhe madje të parashikojë vdekshmërinë.

Shumë shkencëtarë dhe mbrojtës të jetëgjatësisë besojnë se ky informacion jo vetëm që mund të na ndihmojë të kuptojmë procesin e plakjes, por mund të na japë fuqinë për ta ndryshuar atë.

Chan mendoi se nëna e tij, Ivy, e cila është 59 vjeç, do të përfitonte nga njohja e moshës së saj biologjike, sepse ajo ishte në ankth.

“Ajo gjithmonë ka folur për hyrjen në të 60-at dhe se si ky është një hap i madh, njëfarë fillimi i zbehjes”, ka treguar Chan.

Por, me pamjen e saj rinore, ajo ndihet ende e shëndetshme.

“Ajo duket si një 40-vjeçare”.

Dy muaj më vonë, ata morën rezultatet. Mosha biologjike e Ivy ishte 43 vjeç.

“Ishte lehtësim për të sepse i jep asaj një shpresë të re për planifikimin e jetës. Duke ditur se sa shpejt po plaket, kjo i jep asaj një ndjenjë të përtërirë të vetvetes dhe se si duhet të jetojë në dekadën e ardhshme”, ka thënë Chan.

Doktori Steve Horvath ka treguar se “mosha biologjike është një parashikues më i mirë i rrezikut të sëmundshmërisë se sa mosha kronologjike”.

Shpresa është se të kuptuarit e moshës biologjike mund të çojë në ndërhyrje të reja për të zgjatur jetën. Por hapi i parë është përpjekja për ta matur atë.

Qasja e Horvath quhet ndryshe “ora epigjenetike”.

Epigjenetika merret me studimin se si mjedisi përreth ndryshon mënyrën se si funksionojnë gjenet. Ajo analizon disa ndryshime kimike në materialin gjenetik, proces i quajtur metilimi i ADN-së.

Në vitin 2011, Horvath zbuloi se modelet e metilimit të ADN-së mund të përdoren për të vlerësuar me saktësi moshën e njeriut.

“Teksa plakemi, pjesë të caktuara të ADN-së fitojnë metilim dhe pjesë të tjera e humbasin”, ka thënë ai.

Ora e Horvath gjurmon disa qindra nga këto vende. Dhe rezultati është një formulë e aftë për të vlerësuar moshën gjatë gjithë jetës së një njeriu, nga fetusi në pleqëri.

Që atëherë, Horvath dhe shkencëtarë të tjerë kanë zhvilluar orë më të sakta, bazuar tek të dhënat e mbledhura nga mostrat e gjakut të të njëjtit grup njerëzish për shumë dekada.

Këto të dhëna i ndihmojnë orët të identifikojnë plakjen e pashëndetshme me saktësi më të madhe dhe “të parashikojnë kohën deri në vdekje”.

Vitet e fundit, këto metoda kanë çuar në një shpërthim në startup-et që synojnë të matin moshën biologjike për konsumatorët. Këto teste të moshës biologjike tregtohen si produkte të mirëqenies, shpesh me faqe interneti elegante, paketim minimalist dhe miratime me ndikim në mediat sociale.

Sakaq, variojnë në çmim dhe në formatin e testimit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore