Libra

Miti i kushtetutës së Venecias


Giovanni Bellini, San Zaccaria Altarpiece, 1505, 16 feet 5-1/2 inches x 7 feet 9 inches (San Zaccaria, Venice), photo: Steven Zucker (CC BY-NC-SA 2.0)

Në kohën e Renesansës (shekulli 14-17), republika e Venecias admirohej dhe lakmohej thellësisht për fuqinë ushtarake dhe pasurinë e saj, por mbi të gjitha për stabilitetin politik të jashtëzakonshëm dhe efikasitetin administrativ për atë kohë.

Derisa qytetet e tjera italiane të kohës lëkundeshin prej një tiranie në tjetrën, Venecia perceptohej si vendi ideal, me liritë më të mëdha politike dhe personale të qytetarëve të saj.

Për këtë arsye nisi të krijohej ajo që ne sot në literaturën politike e njohim si Miti i Venecias. Por nuk është se ishte mit i pabazë, sepse krejt kjo bazohej në një sistem politik funksional që ishte evident.

Gaetano Cozzi, një prej historianëve më të mirë të Venecias tregon për të huajt që vinin aty gjatë kohës së Reformacionit. Ai shkruan se “në Venecia ata panë një ambient unik; një qarkullim të madh librash dhe idesh, të cilat edhe pse shpesh bëheshin në mënyrë klandestine, nuk i bënte më pak simulues dhe të frytshëm; një stil të hapur të jetës, me një ndjenjë të madhe tolerance që ishte e veçantë në Evropën ende të ngulfatur me debate religjioze dhe e përmbyllur brenda defansivave të doktrinale të ngurta”.

Shkrimtari politik i shekullit të 16-të Jean Bodin i cili edhe pse nuk ishte admirues i qeverisë veneciane, shkruante se qyteti ishte tërheqës ndaj “atyre që aspironin të bënin jetë të qetë dhe të lirë; njerëz që dëshironin të bënin tregti dhe të mirreshin me industri, ose të ndiqnin studime të vlefshme që bën kryesisht njeriu i lirë”.

Kushteta e Venecias nuk ishte një dokument i shkruar në letër por thjesht një set rregullash dhe aranzhimesh institucionale që ishin ndërmarrë qysh në shekullin e 14-të.

Venecia e quante veten La Serenissima (Më Paqësorja), në mënyrën më krenare, dhe me të drejtë pasi që Evropa e kohës ishte në rrënoja politike në atë kohë.

Pushteti politik në republikën e Venecias në atë kohë ishte në duart e një aristokracie që kapte afro pesë përqind të popullatës. Por karakteristika më e rëndësishme e sistemit politik të saj ishte rregullimi në atë mënyrë që pushteti politik mos të koncentrohej në një vend.

Në esencë të saj kushtetuta e Venecias ishte një sistem me checks-and-balances, kontrolle dhe ekuilibre.

Teoria prapa kësaj kushtetute nënvizon atë që pushteti mund të kontrollohet vetëm me pushtet, një premisë kjo që mund të përkthehet në praktikë si një sistem politik i përbërë nga trupa të veçantë zyrtar të organzuar në drejtpeshim dhe kundërpeshim. Gjë që edhe themeluesit e kushtetutës së Amerikës do ta adaptonin.

Eseisti politik dhe poeti anglez John Milton, mori republikën e Venecias  si shembull të përsosur që Anglia në gjendjen e saj me plotë trazira duhet ta ndjekë.

Gasparo Contarini, shkrimtari më i madh politikës i Italisë së Renesansës, në veprën e tij De Magistratibus et Republica Venetorum (1543) shkruante se kushtetuta veneciane nuk ishte as origjinë e as synim hyjnor, por ishte dizajnuar nga njerëz praktik dhe për objektiva utilitar.

Ai shkruan se “Ka pasur shumë Komonuellthë që e tejaklojnë Venecian për nga perandoria dhe pronat e mëdha, si në disiplinë ushtarake dhe lavdi në lufta; mirëpo kurrë nuk ka pasur ndonjë vend, shembull i përsosur i të cilëve është ky vend i joni, me institucione dhe ligje të urta të dektretuara për të themeluar te vendasit e tyre, një lumturi dhe kënaqësi të pasur”.

Sistemi politik venecian nuk ishte një piramidë pushteti, por si një ndërthurje komplekse këshillesh me përgjegjësi që takohen me njëra tjetrën, dhe me veprime kontrolluese të pushteteve ndaj njëra tjetrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore