Lajme

Miratohen emrat e propozuar për Bord të AKP-së


Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar propozim vendimin e Qeverisë, për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Emrat të cilat qeveria ka propozuar për t’u bërë anëtarë të këtij bordi janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, ka kritikuar për kryesuesin e propozuar nga Qeveria, Nazmi Mikollovci, pasi sipas tij ka konflikt të madh të interesit.

“Problemi esencial është që saktësisht kryesuesi i propozuar ka konflikt të madh interesi me pozicionin qe dëshiron ta marr nga Kuvendi. Kandidati i propozuar ka punuar 7 vjet në Trepçë, do të thotë në periudhën që është dëmtuar më së shumti Trepça”, tha Shala.

Në anën tjetër, deputeti nga AAK-ja Pal Lekaj, u shpreh se në këtë propozim vendim nuk tregohet jetëgjatësia e këtij mandati.

“Sa i përket kandidatëve nuk i njoh, aty nuk kemi dëshmi se nuk janë kundërshtim me ligjin, po më intereson që ky mandat sa është, me mandat të plotë apo me çfarë e ka thënë Qeveria. Pasi e dimë që kjo agjenci do të shuhet. Këtu nuk tregon sa do të zgjas mandati. Më tepër është politike kjo.”

Por, deputetja Mimoza-Kusari-Lila, tha se nuk është kompetencë e Qeverisë që të përcaktojë mandatin e këtij Bordi.

“Detyra e këtij bordi do të jetë transformimi i tyre në Fondin Sovran”.

Ndërsa, deputeti i VV-së, Armend Muja, tha se AKP-ja është shkatërruar dhe në këtë pjesë partia e tij nuk ka gisht fare.

“Nëse i shihni numrat e vëreni sa është shkatërruar kjo ndërmarre, dhe për këtë VV-ja s’ka pasur fare të bëjë”.

Kurse deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se njëherë është dashur të sillej plotësim-ndryshimi i ligjit dhe jo emrat puro-politik për bordin.

Kritika adresoi për Lëvizjen Vetëvendosje duke e sugjeruar që të ndërroj emrin në “Vetëkapje”, pasi sipas saj kjo e fundit ka kapur shtetin.

“Tani po e emëroni një bord puro-politik. Unë pajtohem me dy parafolësit e mi, jemi kundër. Është shumë mirë që qytetarët po e shohin se ju keni ardhur në pushtet me kauzën për ç’kapjen e shtetit por e keni kapur shtetin. Ju kisha propozu që Vetëvendosjes me ja ndërru emrin në “Vetëkapje”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Në seancën e të mërkurës kryeministri Albin Kurti, ka miratuar propozimin e kandidatëve të rinj për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së, duke shtuar se pas aprovimit të këtij propozimi, vendimi bashkë me biografinë e këtyre kandidatëve i procedohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës më 23 mars të vitit 2020 kishte marrë vendim për pezullimin e pa afat të gjitha veprimeve në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kurse më një korrik të po të njëjtit vit, ekzekutivi kishte anuluar vendimin paraprak, ndërsa kishte kërkuar që të mos shpallen valë të reja të privatizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore