Shqipëria

Mira Murati dhe dilemat për ChatGPT-në


ChatGPT duket se e ka rrëmbyer të gjithë vëmendjen në industrinë e teknologjisë.

I prezantuar nga kompania e inteligjencës artificiale OpenAI, chatbot-i e ka pushtuar imagjinatën e publikut pas publikimit të tij në fund të nëntorit.

Mira Murati, me origjinë shqiptare, është shefja e teknologjisë në OpenAI.

Ajo udhëheq ekipet pas DALL-E, që përdor inteligjencën artificiale për të krijuar vepra arti bazuar në kërkesat që merr dhe ChatGPT, chatbot-i jashtëzakonisht i popullarizuar i inteligjencës artificiale që mund t’u përgjigjet pyetjeve komplekse me aftësi të frikshme njerëzore.

Teksa disa shkolla po e ndalojnë atë, Microsoft-i ka njoftuar një investim prej 10 miliardë dollarësh në kompani, kurse Google-i duket i shqetësuar se teknologjia mund të prishë biznesin e tij të kërkimit.

“Ashtu si me revolucionet e tjera nëpër të cilat kemi kaluar, do të ketë vende të reja pune dhe disa vende pune do të humbasin”, ka thënë Murati vjeshtën e kaluar për ndikimin e inteligjencës artificiale.

Por ajo është optimiste.

Për pjesën më të madhe të janarit, ChatGPT e kapërceu Bitcoin-in midis termave të kërkimit, sipas Google Trends.

Startup-i privat me bazë në San Francisco – me 375 punonjës – tani ka një vlerësim prej rreth 30 miliardë dollarësh.

Mirëpo, ajo ka folur për “TIME” për dobësinë më të madhe të ChatGPT, potencialin e pashfrytëzuar të software-it dhe pse është koha për të ecur drejt rregullimit të inteligjencës artificiale.

Paçka gjithë arritjes, Murati është kurioze të shohë zonat ku do të fillojë të gjenerojë dobi për njerëzit dhe jo vetëm risi dhe kuriozitet të pastër.

Ajo ka shpjeguar se ChatGPT është në thelb një model i madh bisedor – një rrjet i madh nervor që është trajnuar për të parashikuar fjalën tjetër – dhe sfidat me të janë sfida të ngjashme që shohim me modelet bazë të programeve kompjuterike që hapin mundësi të reja të të kuptuarit dhe gjenerimit të tekstit në sistemet software-ike.

Sipas saj, kjo është në thelb një sfidë thelbësore.

“Ne zgjodhëm dialogun veçanërisht sepse dialogu është një mënyrë për të bashkëvepruar me një model dhe për t’’ dhënë atij reagime. Nëse mendojmë se përgjigjja është e pasaktë, mund të themi: A je i sigurt? Unë mendoj se në të vërtetë… Dhe më pas modeli ka një mundësi të shkojë përpara ngjashëm me mënyrën se si do të bisedonim me njëri-tjetrin”.

Meqë teknologjitë vërtet novatore zgjidhin një problem, çfarë problemi po zgjidh ChatGPT?

“Tani për tani, është në fazën e rishikimit. Por mendoj se ne mund të shohim se ka potencialin për të revolucionarizuar me të vërtetë mënyrën se si mësojmë”, ka thënë ajo.

“Njerëzit janë në klasa me 30 persona. Të gjithë kanë prejardhje të ndryshme, mënyra të të mësuarit dhe të gjithë marrin në thelb të njëjtën kurrikulë. Me mjete si ChatGPT, mund të bisedoni pafund me një model për të kuptuar një koncept në një mënyrë që i përshtatet nivelit tuaj të të kuptuarit”, ka ilustruar ajo.

Ndaj Murati beson se ka potencial të jashtëzakonshëm për të na ndihmuar me edukimin e personalizuar

Megjithatë, ajo ka edhe dilemat e veta lidhur me rreziqet që mund të sjelli inteligjenca artificiale në shoqëri.

“Teknologjia na formëson dhe ne e formësojmë atë. Ka shumë probleme të vështira për t’u kuptuar. Ekzistojnë një sërë pyetjesh rreth ndikimit shoqëror dhe ka shumë pyetje etike dhe filozofike që duhet t’i shqyrtojmë. Dhe është e rëndësishme që ne të sjellim zëra të ndryshëm, si filozofë, shkencëtarë socialë, artistë dhe njerëz nga shkencat humane”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, inteligjenca artificiale mund të keqpërdoret ose mund të përdoret nga aktorë të këqij, ndaj dhe duhen sjellë në vëmendje të gjithë zërat.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të fillojnë të përfshihen, duke pasur parasysh ndikimin që do të kenë këto teknologji”, ka theksuar ajo lidhur me përfshirjen e rregullatorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore