Lajme

Ministria e Drejtësisë, shkresë zyrtare për të ekstraduar Durim Bamin nga Dubai


Ministria e Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e shtetasit Durim Bami nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kërkesa është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike.

Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për shtetasin Bami janë marrë në dorëzim nga pala arabe.

Më 10 qershor policia njoftoi se, autoritetet policore të Dubait kishin shoqëruar Durim Bamin dhe vëllanë e tij, Valter dhe se po bëhej verifikimi i gjurmëve të gishtërinjve nëse ka përputhje me të dhënat që kishin dërguar autoritetet shqiptare.

Pas konfirmimit, Durim Bamit i është komunikuar dhe arrestimi.

Durim Bami akuzohet për krijim kushtesh për atentatin ndaj Marklen Hakës ku mbeti e vrarë halla e tij. Ngjarja në fjalë ndodhi në viti 2019, natën e tërmetit të 21 shtatorit.

Për këtë ngjarje është arrestuar dhe Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, që rezulton i zhdukur. Enver Stafuka u rrëmbye dhe zhduk pa gjurmë.

Emri i tij doli edhe gjatë megaoperacionit të zbatuar nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK  të premten e 17 majit.

Mes të përfshirëve ishin edhe anëtarë të familjes Avdylaj. Ndërsa, kontrolle janë bërë edhe në banesën e Durim Bamit dhe Valter Bamit, emra të njohur për drejtësinë.

SPAK goditi shtatë grupe kriminale në një hetim që u mundësua falë ndihmës së vendeve partnere si dhe institucioneve Eurojust dhe Europol.

Sipas dosjes, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka.

Atentati ndaj Bamit në 2020 dështoi.

Në dosjen Bami paraqitet si një biznesmen i fuqishëm, i cili porosit dhe organizon vrasje e kultivon kanabis.

Ai paraqitet në një rast si agjent pronash të patundshme kur një person i paidentifikuar i kërkon ndihmë për të shitur një mjedis biznesi në Tiranë “për një nga çunat e Anglisë” me sipërfaqe 240 metra katrorë dhe më çmim 4 mijë euro për metër katrorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore