Lajme

Ministri shqiptar në qeverinë malazeze: Abazoviç ka kontribut të madh në integrimin e shqiptarëve në Mal të Zi


Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj.

Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, në një intervistë për “EuronewsAlbania”, ka thënë se kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka një kontribut të madh në integrimin e shqiptarëve nëpër institucionet malazeze.

I pyetur se ku ka gabuar Abazoviç – kjo për shkak të kohës së shkurtër të tij në udhëheqjen e qeverisë, pasi u rrëzua me mocion mosbesimi – Dukaj theksoi se “është vështirë të thuash se ku gaboi Dritani”.

“Ai ka dhënë një kontribut shumë të madh për integrimin e shqiptarëve në të gjitha institucionet. Asnjëherë më parë shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë qenë kaq të integruar sa janë sot. Në komunat ku jetojnë shqiptarët nuk janë bërë investime sa po bëhen dhe po planifikohet të bëhen”, potencoi ai.

Vendimet që Abazoviç i ka marrë gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, ministri shqiptar në qeverinë malazeze thotë se nuk i ka menduar pasojat personale, pasi që ka dashur që t’i përfundoi disa tema që kanë qenë për një kohë të gjatë të papërfunduara.

“Në vendimet që Abazoviç i ka marrë nuk ka menduar për veten, për pasojat personalisht për të, dhe si njeri që promovon një politikë kozmopolitane, ai ka menduar që këto tema, që ai ka dashtë t’i largojë nga rendi i ditës që kanë qenë për 30 vite në tavolinë, ka menduar se nuk do të ketë aq shumë efekt”.

Por për fat të keq, potencon ai, “pushteti 30 vjeçar i ish-presidentit Milo Gjukanoviç e ka krijuar këtë klimë në Mal të Zi”.

“Klimën e ndarjeve dhe përçarjeve. Kjo ka qenë klimë që ata e kanë promovuar 30 vitet e fundit”, mendon ai.

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe i kishte kushtuar Abazoviç-it me shkarkim nga pozita e kryeministrit, por për Dukajn kjo marrëveshje nuk ka ndryshuar asgjë në jetën e malazezëve.

“Gjitha këto vendime që i ka nënshkruar Abazoviç, çfarë kanë ndryshuar në realitet. Ai ka nënshkruar marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe – ne kemi qenë kundërshtarët më të mëdhenj të saj – por në realitet nuk ka ndryshuar asgjë”.

“Pse? Sepse, për 30 vite pushteti i Gjukanoviç-it ia kishte përgatitur terrenin Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi”, beson Dukaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore