Kosova

Ministri kroat: Pacientët që ishin në rrezik për jetë janë akoma në gjendje stabile


Vili Beros - Ministër i Shëndetësisë në Kroaci

Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Beros, ka dhënë deklaratën e tij pas vizitës që i ka bërë të lënduarve nga aksidenti që ndodhi në Slavonski Brod, teksa ka bërë të ditur se pacientët që ishin në rrezik për jetën janë ende në gjendje stabile.

Në një prononcim për televizionin kroat “HRT”, Beros, ka theksuar se gjendja e të lënduarve nga aksidenti me autobus nuk është përkeqësuar.

“Pacientët që ishin në rrezik për jetën në njësinë e kujdesit intensiv janë ende në gjendje stabile. Gjendja e tyre shëndetësore nuk u përkeqësua”, shkruan e përditshmja kroate “Telegram”.

Mes tjerash, Beros, ka shtuar se një nga personat e lënduar kishte bërë operacion pasi që kishte pësuar një dëmtim të rëndë trupor dhe se gjendja e tij pas operacionit është e mirë.

Ministri kroat po ashtu tha se – “ndihma e ambasadorëve dhe përkthyesve të Kosovës që i ndihmuan qeveritarët kroat të kontaktonin me viktimat nga aksidenti, ishte e nevojshme dhe e konsiderueshme”.

Ndryshe, në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Ndërsa vendin e ngjarjes ku ka ndodhur aksidenti tragjik e ka vizituar edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli duke thënë se ambasada po bën çdo gjë në bashkëpunim me autoritetet kroate dhe kosovare që të tejkalohet situata e vështirë.

Ndërkohë drejt Kroacisë është nisur edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti, me disa nga ministrat e kabinetit të tij do të priten nga Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, pikërisht në vendin ku ka ndodhur aksidenti tragjik në Slavonski Brod, të Kroacisë.

Pas aksidentit në Kroaci, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Kroaci.

Ajo e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore