Lajme

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë i reagon Kurtit – “Po dëshiron ta thyejë paqen dhe të destabilizojë rajonin”


Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, i ka reaguar deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se ekziston rreziku që Rusia nëpërmjet Beogradit të transferojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor.

Stefanoviç e mohon një gjë të tillë, teksa thotë të kundërtën, duke e akuzuar Kurtin se po dëshiron “të destabilizojë rajonin dhe të shkatërroj paqen me deklaratat e tij”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga ministria serbe e mbrojtjes.

“Përtej të gjithave, dhe me të gjithë sfidat me të cilat përballemi çdo ditë, ne nuk mund të lejojmë të mos i përgjigjemi akuzave të rreme dhe të lejojmë që të gjitha gjërat që thotë Albin Kurti të kenë peshë dhe të jenë burim frike në qytetarët. Unë edhe njëherë do ta theksoj që Republika e Serbisë nuk është zonë e nxehtë konflikti dhe as nuk do të jetë, dhe as nuk do të ushqejë tensione. Serbia, përveç vetes, është e përqndruar edhe në rajon, gjë të cilën e ka dëshmuar vitetet e kaluara”, thuhet në reagim.

Stefanoviç thotë se Kurti dëshiron “luftë dhe konflikte”, duke e bazuar atë në kundërshtimin që kryeministri i Kosovës e ka ndaj nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

“Do t’ia kujtoj Kurtit që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuiçiç, e ka nisur iniciativën Open Balkan, e cila shërben për të lidhur Ballkanin Perëndimor qëllimi i vetëm i së cilës është të kontribuojë në përmirësimin e standardit të jetës të qytetarëve dhe të ripajtojë përmes lehtësimit të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, dhe kjo gjë flet në mënyrë të qartë se Kurti është për konflikte dhe luftëra, dhe se kush është për paqe dhe progres”, ka thënë Stefanoviç.

“Pretendimet që s’kanë asnjë kuptim të [Albin] Kurtit nuk do të bëhen të vërteta duke e rritur numrin e publikimeve në media. Ato kurrë nuk mund të bëhen të vërteta, sepse Serbia dëshiron paqe dhe stabilitetit dhe i përshtatet popullit të saj dhe bën atë çfarë është në interesin e saj nacional. Një koncept ky për të cilën njerëz si Albin Kurti ndoshta dinë fare pak”, përfundoi Nebojsha Stefanoviç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një intervistë për Le Monde ka thënë se po e shqetësojnë lidhjet e forta të Rusisë me Serbinë, pasi sipas tij, “Gazprom zotëron 56 për qind të industrisë së naftës në Serbi dhe 51 për qind të kapacitetit të depozitimit të gazit”, derisa sipas Kurtit sa i përket inteligjencës, Rusia mban të ashtuquajturën “qendër humanitare” në qytetin e Nishit”.

“Në media, agjencia Sputnik drejton operacionet e saj për Ballkanin Perëndimor nga Beogradi dhe mjafton të shikosh titujt e gazetave serbe për të kuptuar se kush i drejton realisht”, tha Kurti.

Sipas kryeqeveritarit kosovar 151 deputetë të Kuvendit të Serbisë i përkasin grupit të miqësisë serbo-ruse.

“Edhe në Kosovë i kemi këto grupe të miqësisë parlamentare me vende të ndryshme, por asnjëherë nuk i kalon 12 persona”.

Kurti ka theksuar se Putin e përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s në 1999, “tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër”.

“Mund ta quajmë një pushtim rus, ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm”.

Ai ka shtuar se presidenti Putin ka hyrë në një rrugë qorre, përveç logjikës së më të keqes.

“Është një formë e vetësabotimit, ai nuk mund të tërhiqet. Natyrisht këtu jemi të shqetësuar, sepse tundimi që ai ta përhapë më tej luftën më duket i qartë. Tre rajone janë në rrezik. Moldavia sepse duke u përpjekur për të enklavuar Ukrainën dhe për t’i hequr asaj hyrjen në Detin e Zi, rusët do të shkojnë nga Krimea në Transnistria nëpërmjet Odessa”, pohoi ai.

“E dyta është Gjeorgjia: Osetia e Jugut dhe Abkhazia u aneksuan në vitin 2008, viti kur Kosova shpalli pavarësinë e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore