Shqipëria

Mima premton taksimin e individëve në shkallën 9%


Ish- deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Florion Mima, ka prezantuar të enjten, programin ekonomik të PD-ës për mbështetjen e biznesit.

Ai ka njoftuar se me ardhjen në pushtet të demokratëve, tatimi mbi të ardhurat do të përfshijë taksimin e individëve dhe të organizatave me një shkallë tatimore prej 9%.

Gjithashtu, ata premtojnë uljen e shkallës tatimore duke lëne më shumë fonde në duart e tatimpaguesve, si dhe do të shfuqizojnë shumicën e taksave vendore e kombëtare.

Sipas Mimës, Pushteti Vendor nuk do të ketë të drejtën e prezantimit të taksave të përkohshme, por do të kërkojë aplikimin e tarifave për shërbimet që ofron.

Demokratët premtojnë që akcizat, do të jenë të aplikueshme vetëm për nënproduktet e naftës, alkoolit dhe duhaneve. Ndërsa kontributi i sigurimit të pensioneve do të jetë në masën 9% të të ardhurave nga paga për punëmarrësin dhe 9% për punëdhënësin.

Mima ka njoftuar se do të thjeshtohet i gjithë sistemi i lëshimit të kuponëve, faturave, librave e regjistrimeve kontabël, deklaratat, formularët etj.

“Kasat fiskale do të përdoren vetëm për qëllimin e mirë-menaxhimit të biznesit”, thekson ai.

PD premton se të gjitha ligjet tatimore dhe aktet respektive nënligjore do të përmblidhen në një Kod Tatimor dhe Dispozita Zbatuese, të ngjashëm me Kodin Doganor. Si dhe do të reformohet thellësisht sistemi ankimor duke ngritur Tribunalin Tatimor në bashkëpunim me organizatat e tatimpaguesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore