Shqipëria

Meta, urimet nga homologët për Pavarësinë


Për presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, kanë mbërritur një sërë urimesh për Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor, prej homologëve të tij nga mbarë bota.

Ndër urimet e marra, nuk anashkalohet mbështetja e vendeve për rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane, Bashkimit Evropian.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka shkruar në mesazhin e tij se “Republika e Polonisë i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me përfitim reciprok me Shqipërinë”.

Njëkohësisht, ai ka shprehur vlerësimin për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ka siguruar për mbështetjen e Polonisë në synimet e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Ndërkaq, presidentit i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka theksuar se do vazhdojë të zhvillojë e të fuqizojë miqësinë mes dy vendeve.

Edhe ai mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai slloven, Borut Pahor, ka thënë mes të tjerash që “të jeni të sigurt mbi mbështetjen e vendosur të Sllovenisë për Shqipërinë ndaj përpjekjeve të saj për reforma, si dhe për t’iu afruar Bashkimit Evropian, si dy vende të lidhura nga interesi i përbashkët për stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.

Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut, ka ravijëzuar se “si aleatë në NATO, marrëdhëniet tona do të zhvillohen edhe më shumë. Së bashku jemi të përkushtuar për bashkim sa më të shpejtë me Bashkimin Evropian”.

Ndërsa në mesazhin e urimit të presidentit të Austrisë, Aleksandër Van der Bellen, shkruhet që “shfrytëzoj me kënaqësi këtë mundësi për të përcjellë urimet më të mira për ju personalisht dhe për një të ardhme të lumtur të popullit shqiptar”.

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’i përcjell Shkëlqesisë Suaj urimet e mia të sinqerta e më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj si dhe për begatinë e popullit shqiptar”, ka uruar Metën Mbreti i Suedisë, Karl Gustaf.

Gitanas Nauseda, presidenti i Lituanisë, ka vlerësuar ndër të tjera kontributin e vendit në sigurinë e rajonit, si dhe ka siguruar për mbështetjen e tij në përpjekjet drejt integrimit.

Kurse presidenti i Çekisë, Milos Zeman, ka theksuar që beson fort se “mirëkuptimi dhe miqësia e përbashkët mes dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet në interes të fuqizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me interesa reciproke”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore