Shqipëria

Meta, takim me ministren për BE-në, Karoline Edtstadler


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ditën e sotme më 6 maj ka pritur në një takim ministren Federale për Çështjen e Bashkimit Evropian dhe Kushtetutën të Republikës së Austrisë, Karoline Edtstadler.

Gjatë takimit Meta bën me dije se ka vlerësuar miqësinë e hershme mes dy vendeve dhe mbështetjen e pakursyer të Austrisë.

“Theksova se sfida jonë më e madhe në këtë proces është zbatimi i Kritereve të Kopenhagës, kyç jo vetëm për përparimin e Shqipërisë me negociatat e anëtarësimit, por veçanërisht për të motivuar të rinjtë, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane në vendin tonë”, shkruan Meta në deklaratën e tij.

Ministrja më herët takoi ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ajo ka vlerësuar mbështetjen e shtetit austriak për periudhën pas tërmetit, në procesin e rindërtimit. Gjithashtu dhe për ndihmën e dhënë gjatë pandemisë Covid-19.

“Austria është bashkëpunëtore për sjelljen e 651 mijë vaksinave në Ballkan”, deklaroi ajo, duke vënë theksin dhe te rezultatet “e prekshme dhe të qëndrueshme”, në fushat kryesore të identifikuara.

Xhaçka ka bërë thirrje që anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE “duhet të përshpejtohet”, pasi sipas saj, është radha e BE-së për të vlerësuar arritjet tona konkrete, si dhe kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare janë plotësuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore