Shqipëria

Meta sulmon sërish Dumanin: Më ke çuar njerëz që të iki nga Shqipëria – Amerika të ka thënë që të më burgosësh


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk e ka në plan që të ndalojë sulmet nga kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Në konferencën e sotme për media, Meta pretendoi se Dumani i ka çuar njerëz për t’i thënë që të largohet nga Shqipëria.

“Po i them Dum Duamanit, 3 herë me një gazetare që të del te metamorfoza, i ke përmend emrin tim. Ke çuar dhe njerëz që të më mbushin mendjen që të iki nga Shqipëria”.

Më tej Meta vijon me fyerjet duke thënë se: “legen si puna jote jam unë, gjurmon vjehrrën time të marrësh peng familjen time, mendon se do marrësh peng PL-në që t’ia çoj atij tarallakut”.

Ai i ka bërë ftesë që Dumani të dalë në TV – “meqë ke vendos të merresh me politik, si flet t’i në emër të SPAK, o palaço”.

Sipas ish-presidentit, SHBA-të i kanë kërkuar Altin Dumanit që ta fusë në burg.

Ish-presidenti ka dhe një kërkesë për kreun e SPAK.

“Dum Dumani, florinjtë e mi, fabrikat e mia, t’i marrë dhe t’ia çojë popullit. Nuk kam asnjë merak. Kam një shtëpi, ¼ e shtëpisë do ia lë motrës. Kam dhe një motër që ma ka falur Zoti, se po më kujdeset për prindërit e mi. Këtu e vë krevatin te selia. Shkon më atë çantë që të marri Partinë e Lirisë e ta çoj Edi Ramës”.

Ambasada Amerikane dënon sulmin e Metës ndaj kreut të SPAK: Qëndrojmë krah drejtësisë

Ndërkaq, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë theksoi se ndan të njëjtin mendim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë kur bëhet fjala për sulmet e ish-presidentit, Ilir Meta, ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Njëjtë si KLP-ja edhe Ambasada ka dënuar sulmet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit.

Në një reagim në mediat sociale SHBA-të theksojnë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

“SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

KLP-ja dënoi sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani – të cilin e akuzoi se ishte takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Ajo tha se  i cilëson shqetësuese deklarata të tilla fyese dhe intimiduese, ndërsa bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.

Vetë Dumani, në një reagim për mediat ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga ish-presidenti, Ilir Meta.

Ky i fundit u shpreh se sipas të dhënave të tij SPAK ka nisur hetimin për çështjen e CEZ-it pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal,  ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

Dumani thekson se, nuk e ka takuar kurrë Charles McGonigal dhe se gjithçka që thuhet në media është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha kreu i SPAK.

Ndërkaq, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërthyer në një varg akuzash kundrejt Prokurorisë së Posaçme, duke e akuzuar këtë të fundit se është në shërbim të kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Me tone deri në ofenduese, ku bën etiketime si “SPAK-u torollaku”, apo duke thënë se kërkon përballje me kryeprokurorin Altin Dumani, Meta tha se misioni i tij tashmë është të demaskojë gjithë padrejtësitë e bëra nga Prokuroria e Posaçme.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ai parashtroi se nuk i intereson se në çfarë hetimi është vetë nga SPAK-u, duke e quajtur veten si politikanin më të pastër në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, thotë se i vjen keq që institucioni ka mbrojtur emra si Erion Veliaj në çështjen e inceneratorëve.

Megjithatë, akuzën e vazhdoi duke e quajtur SPAK-un edhe organizatë politike dhe jo një institucion hetimor në vend.

“SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës. Torollaku se kujton se me këto presione do më ndalojë mua, e duke kapur ndonjë laraskë, do marrë peng Partinë e Lirisë”, shtoi më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore