Shqipëria

Meta s’ka dijeni për negociatat e detit me Greqinë, kërkon transparencë nga Qeveria


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni mbi fazat në të cilat ndodhen negociatat mes Tiranës dhe Athinës për çështjen e delimitimit detar.

Në një konferencë për shtyp, Meta e nisi fjalën duke cituar ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, pas vizitës së këtij të fundit në Tiranë më 23 maj, kur tha se po pritej pikërisht largimi i Metës nga Presidenca për të vijuar me procedurat gjyqësore për detin, pasi ishte kreu i shtetit shqiptar, i cili ishte bllokues në këtë çështje.

Mirëpo, në atë çfarë thotë Meta, ai nuk ka pasur asnjë dijeni mbi hapat që janë ndërmarrë dhe ato deklarata i ka dëgjuar aty për herë të parë.

Duke theksuar se kjo është një çështje e hapur mes dy shteteve, ai kërkoi transparencë nga Qeveria dhe, mbi të gjitha, kërkoi të ketë përgjegjshmëri në atë çfarë po trajtohet, duke qenë se në lojë janë interesat më të larta kombëtare të Shqipërisë.

Në vëmendje, ai solli miratimin e një grupi të posaçëm pune për negociatat e detit.

Prej këtij grupi u zhvilluan tre raunde takimesh: 30 prill 2018, 14-15 maj 2018 dhe 22 qershor 2018.

Mirëpo, prej tyre, janë hasur problematike dhe shqetësime serioze nga Presidenca. Ndaj, janë kërkuar takime me kryeministrin.

Prej këtij takimi, u ra dakord në vitin 2018 se do të ishte Edi Rama (kreu i qeverisë), ai i cili do t’i udhëhiqte negociatat.

Sërish, edhe pas kësaj sipas Metës, atij nuk iu bë me dije asnjë detaj mbi çështjen e detit.

“I kam dhënë mbështetjen time Qeverisë, kryeministrit, grupit negociator”, theksoi Meta. “Pra, siç e shikoni, është e qartë se institucioni më i angazhuar dhe transparent, ka qenë Presidenti i Republikës”.

Marrëveshja e 2009-ës

Pas thuajse 50 vjetësh diktaturë, çështja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, ishte e pazgjidhur. Madje, tërësisht e patrajtuar.

Por ajo gjeti shtigje hapëse me fillimin e epokës demokratike në Shqipëri.

Viti 2009, do të ishte pikërisht përcaktues për këtë çështje.

Një marrëveshje mes Shqipërisë, të drejtuar asokohe nga Sali Berisha dhe Greqisë, të drejtuar nga Kostas Karamanlis, u arrit mbi shelfin kontinental dhe zonat e tjera detare, të cilat u përkasin sipas të drejtës ndërkombëtare.

Në bazë të kësaj të fundit, çdo shtet ka të drejtë të zgjerohet deri në një kufi prej 12 miljesh nga skaji i hapësirës së fundit tokësore që zë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së detit, 2009

Mirëpo, marrëveshja e arritur mes dy vendeve, u denoncua menjëherë nga Partia Socialiste, opozitare asokohe. Akuzat do të arrinin deri aty sa Qeveria të përshkruhej si “shitëse e detit”.

Ato, përtej kryeministrit Berisha, do të rëndonin veçanërisht edhe tek ministri i Jashtëm, Basha.

Në pretendimin ligjor të socialistëve konkretisht, arsyet ishin të lidhura ngushtësisht me dy faktorë.

I pari, ishte vija nga ku niste matja. Kjo, për shkak se ngushtica jugore mes dy vendeve, është mjaft e vogël dhe në të tillë mënyrë, Greqia kishte mundësi të shfrytëzonte nenin e konventës, duke hyrë në kufijtë e zonave ekonomike ekskluzive të Shqipërisë.

Aspekti i dytë, ishte mënyra si negociatat ishin zhvilluar. Një mënyrë, tërësisht e fshehtë!

Matja e pretenduar nga Greqia prej ishullit të Korfuzit, ishte e papranueshme sipas opozitës së atëhershme.

Për këtë shkak, çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese.

Marrëveshja “nul”

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, do të shpallte juridikisht të pavlefshëm dhe antikushtetues, akordin e arritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, për përcaktimin e kufijve detarë.

Delimitimi i zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, ishte i pavlefshëm.

Ato çfarë Kushtetuesja kishte vërejtur parësisht, ishin shkelje procedurale dhe substanciale, të cilat binin ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Por jo vetëm kaq.

Zona e delimitimit për marrëveshjen e detit

Në bazë të arsyetimit, ato binin ndesh edhe me Konventën e Tretë Ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të drejtën e detit, e vitit 1982.

Ndër konkluzionet e Kushtetueses, ishte edhe thyerja e atij që njihet si parimi i “Equity” ose i shqipëruar, i barazisë. Pra, ndarja duhet të jetë sa më e barabartë për çdo shtet.

Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, ky parim nuk ishte zbatuar. Kjo, pasi prekeshin zonat ekskluzive ekonomike.

“Refresh”

Pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Rama, mbi çështjen e detit do të binte një heshtje. Për të nuk do të flitej më deri në prill të vitit 2018. Asokohe, Shqipëria rifilloi bisedimet zyrtarisht me Greqinë.

Gjërat kishin ndryshuar. Shteti helen tashmë, drejtohej nga Alexis Tsipras.

Sakaq, rasti i 2009-ës, ende ishte i freskët në kujtesë. Ndaj, aktorët e ndryshëm, nuk lejuan që historia të përsëritej.

Një grup pune i posaçëm vetëm për bisedimet e detit, u ngrit nga të dy palët.

Shqyrtimi rifilloi dhe avancimet mbi detin bëheshin herë pas here publike. Objektet e bisedimeve, po ashtu.

Imazh nga raundi i dytë i bisedimeve Shqipëri-Greqi, për çështjen e detit

Qëllimi i palës greke vijonte të mbetej i qartë: Zgjerimi me 12 milje, sipas Konventës Ndërkombëtare.

Mirëpo, këto 12 milje, do të ishin në dëm të Shqipërisë, ashtu si pati argumentuar edhe Kushtetuesja në vitin 2010.

Për këtë fakt, pala shqiptare solli në pah se aplikimi i 12 miljeve, mund të bëhej vetëm aty ku ishte e mundur.

Pala greke nuk e pranoi qasjen dhe bisedimet u prishën. Tym të bardhë mbi detin, nuk kishte sërish.

Konventë Ndërkombëtare – Gjykatë Ndërkombëtare

Pas dështimit të bisedimeve, veç një rrugë kishte mbetur për Shqipërinë dhe Greqinë, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e detit.

Të dy vendet, ishin dakordësuar se ajo do të shkonte në Gjykata ndërkombëtare për t’u zgjidhur. Konkretisht, në atë të Hague-s.

Por, më 20 janar 2021, Greqia do të vendoste të miratonte në Parlament projektligjin e zgjerimit me 12 milje në detin jon.

Reagimi ishte i menjëhershëm nga të gjitha palët. Sipas Qeverisë shqiptare, ishte në të drejtën sovrane të Greqisë, ta ndërmerrte aktin. Mbi të gjitha, zgjerimi i tyre nuk e prekte tokën shqiptare.

Nga ana tjetër, opozita akuzonte se grekët, ishin futur në zonën e të drejtës ekskluzive ekonomike.

14 qershori i vitit 2021, do të zhurmonte me një lajm, këtë herë nga Brukseli.

Disa media greke, raportuan se gjatë Samitit të NATO-s, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek, Kyriakos Mitsokatis, kishin “shtrënguar duart” për detajet e fundit të marrëveshjes detare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Samitin e NATO-s

Albanian Post u interesua menjëherë për çështjen. Nga zyra e kryeministrisë shqiptare, qëndrimi ishte i qartë: Nuk ka marrëveshje.

Gjithçka, ashtu si e akorduar, do t’i mbetej Hague-s fjala e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore