Shqipëria

Meta dekreton emërimin e anëtarit të nëntë të Gjykatës së Lartë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të premten e 30 korrikut, ka dekretuar emërimin e anëtarit të nëntë të Gjykatës së Lartë.

Bëhet me dije se Asim Vokshi do të jetë gjyqtari i nëntë i Gjykatës, nga 19 anëtarë që duhet të jenë gjithsej.

Vokshi u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Meta pasi mori propozimin e përcjellë nga ky organ, vendosi që të dekretojë në detyrë Vokshin.

Në njoftimin e Presidencës, mësohet se Meta ka shprehur rezervat e tij lidhur me veprimtarinë e  Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Përkatësisht në lidhje mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.

Sipas Presidentit, kjo procedurë është zvarritur në mënyrë të qëllimtë. Më tej shton se janë mbajtur nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

“Presidenti i Republikës ka mbajtur qëndrim parimor, konsistent dhe në mënyrë të vazhduar përmes nëntë akteve shkresore të bëra publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor”, shkruhej në njoftimin zyrtar të institucionit të Presidencës për sa i përket vonesës.

Në përfundim bëri thirrje që institucionet ligj-zbatuese të veprojnë në mënyrë të pavarur për të rritur besimin e njerëzve te drejtësia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore