Lajme

“Mësimi ukrainas” për Kinën dhe armët që SHBA-të duan t’i sigurojnë Tajvanit


Për shefin e CIA-s, lufta në Ukrainë ka shqetësuar Xi Jinping dhe ka treguar se ka kufij për “miqësinë pa kufi” të shpallur mes Kinës dhe Rusisë.

William Burns është i bindur se “shqetësimi” ka ndikuar në llogaritjet për Tajvanin.

CIA nuk beson se rezistenca e papritur e ushtrisë ukrainase kundër fuqisë së tepërt të supozuar ruse ka shuar vendosmërinë e Pekinit për të rimarrë kontrollin e Tajvanit.

Thjesht hamendëson se koha dhe metodat po i nënshtrohen një rishikimi të kujdesshëm në dritën e “mësimit ukrainas”.

Konkluzioni i shërbimit sekret amerikan është se “Kina mbetet sfida më e madhe gjeopolitike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në planin afatgjatë”.

Politika ushtarake e Washington-it po has edhe vështirësi taktike ndaj kryeqytetit Taipei.

Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin i vitit 1979 detyron qeverinë amerikane të furnizojë me armatime për mbrojtjen e ishullit demokratik.

Tani Pentagoni do të donte që tajvanezët të pajiseshin me sisteme armësh më të lehta, të përshtatshme për “luftë asimetrike”.

Qëllimi është që ushtria e Taipei-t të aftësohet, aq sa ta largojë armikun kinez nga përpjekjet për një pushtim.

Tajvani, vite më parë, ka buxhetuar 2.2 miliardë dollarë për të blerë 108 tanke M1A2 Abrams.

Ndërkohë, këshilltarët e Washington-it theksojnë se tanket do të ishin të padobishme, pasi përdorimi i tyre do të vinte vetëm pas zbarkimit masiv të kinezëve dhe përparimit të tyre të thellë.

Po ashtu, helikopterët MH-60R Seahawk do të ishin të papërshtatshëm për të luftuar ushtrinë e Pekinit.

Në vend të mjeteve të rënda, Washington-i dëshiron t’i furnizojë tajvanezët me raketa kundër luftanijeve: dronë të armatosur dhe njësi të lehta detare që do ta bënin flotën pushtuese të paguajë një çmim shumë të lartë.

Në Washington, ideja është të mos pritet shpërthimi i krizës për të dërguar furnizime, sepse kinezët mund të vendosin një bllokadë detare rreth ishullit.

Ata në Taipei kanë nevojë për artileri moderne si M109A6 Paladin, por me nevojat e frontit ukrainas, aktualisht as makina industriale amerikane nuk mund ta plotësojë kërkesën.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore