Shqipëria

Meshkujt po pakësohen me ritme dy herë më të larta se femrat në Shqipëri


Vitet e fundit, popullsia e Shqipërisë ka nisur të përshpejtojë ritmet e rënies.

Por – nga të dhënat e krahasueshme të viteve të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) – meshkujt po pakësohen me ritme më të larta se femrat.

Në të gjithë vendin, më 1 janar të vitit 2023, zyrtarisht ishin 71,6 mijë meshkuj më pak se në vitin 2018 me rënie 5 për qind.

Ndërkohë, në të njëjtën periudhe ishin 36,8 mijë femra më pak, me rënie 2.6 për qind.

Shqipëria ka raport gjinor në lindje që favorizon meshkujt. Mesatarisht në një vit lindin 105 djem për 100 vajza, por emigracioni më i lartë te meshkujt dhe jetëgjatësia më e ulët se e femrave po i pakëson në numër.

Sipas qarqeve, rënien më të madhe të popullsisë së meshkujve nga viti 2018 më 2022 e kishte Qarku i Gjirokastrës me 18 për qind nga 5 për qind që është mesatarja kombëtare.

Kurse i dyti renditet Berati me rënie 15 për qind.

Rënie dyshifrore të popullatës së meshkujve kishte edhe Dibra me -12 për qind, Elbasani me -11, Fieri me -10, Korça me -12.

Vetëm Tirana shënoi rritje të numrit te meshkujve me 4 për qind gjatë periudhës kohore 2018-2023.

Sakaq, popullata e femrave ka shënuar rënie të fortë në qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës përkatësisht -12, -10 dhe -11 për qind.

Në qarqe popullata e meshkujve është në rënie më të fortë për shkak të emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe jetëgjatësisë më të ulët se në Tiranë.

Po ashtu ka një tendencë për zhvendosje nga qarqet drejt Tiranës, ndërkohë që largimi jashtë vendit ka vijuar me ritme të larta.

Shumica e qarqeve të vendit – 9 nga 12 gjithsej – janë duke vuajtur rënien e popullsisë edhe nga emigrimi i brendshëm, përveç ikjes jashtë vendit dhe tkurrjes së lindjeve.

Në vitin 2022, referuar INSTAT-it, migrimi brenda Shqipërisë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në popullsinë e njësive administrative.

Në atë vit, në nivel qarku, vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kishin një migrim të brendshëm neto pozitiv (më shumë të ardhur se sa të larguar).

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të gjitha qarqet e tjera ( Berati, Dibra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, Korça, Kukësi, Lezha, Shkodra,) kanë pasur migracion të brendshëm neto negativ gjatë vitit 2022.

Prej tre dekadash, popullsia e vendit është në trend rënës, por popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) është duke u tkurrur me ritme më të shpejta.

Më 1 janar të vitit 2023, popullsia e përgjithshme e vendit pësoi rënie me 1.1 për qind në raport me vitin 2022, ndërsa popullsia në moshë pune pësoi rënie me 1.8 për qind.

Popullsia në moshë punë u reduktua me rreth 101 mijë persona në krahasim me vitin 2019, para pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore