Lajme

Merkel: Marrja seriozisht e fjalëve të Putin-it tregon mençuri politike


Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar se marrja seriozisht e fjalëve të presidentit rus, Vladimir Putin, është “shenjë e mençurisë politike” dhe jo dobësi.

Merkel, e cila u largua nga detyra dy muaj para fillimit të luftës në Ukrainë, po fliste për një përgjigje që kishte dhënë në qershor për karakterin e Putin-it.

“Unë u përgjigja se fjalët e tij duhet të merren seriozisht”, tha Merkel, teksa foli në inaugurimin e Fondacionit Helmut Kohl.

“Dhe sot, nisur nga zhvillimet e ditëve të fundit, dua të shtoj: marrja e fjalëve seriozisht, mospërfillja e tyre si një blof, por trajtimi serioz me to nuk është aspak një shenjë dobësie apo qetësimi, por një shenjë e mençurisë politike”.

Ajo shtoi se kjo mençuri do të ndihmonte për të “ruajtur hapësirën për manovrim, ose të paktën po aq e rëndësishme, madje edhe për të zhvilluar hapësira të reja”.

Komentet e saj vijnë pasi Putin-i së fundmi bëri një kërcënim të fshehtë për të përdorur arsenalin bërthamor të Rusisë.

Presidenti rus paralajmëroi Perëndimin se Moska “ka mjete të ndryshme shkatërrimi…më moderne se ato të vendeve të NATO-s”.

Ai tha se “kur të kërcënohet integriteti territorial i vendit tonë, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, sigurisht që do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”.

Merkel në daljet e saj ka refuzuar të kërkojë falje për politikat ndaj Moskës, por ka theksuar se nuk kishte asnjë justifikim për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“Është një shkelje objektive e të gjitha ligjeve ndërkombëtare. Nëse fillojmë të kthehemi shekuj pas dhe të diskutojmë se cila pjesë e territorit duhet t’i takojë kujt, atëherë do të kemi vetëm luftë. Ky nuk është një opsion”.

Merkel këmbënguli se nuk kishte qenë aq naive sa është paraqitur në media në marrëdhëniet e saj me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Diplomacia nuk është e gabuar vetëm sepse nuk ka funksionuar”, tha ajo.

Merkel deklaroi se “parandalimi ushtarak është gjuha e vetme që Putin marrka vesh”.

Ish-kancelarja gjermane kujtoi një samit të vitit 2007 në vendpushimin rus të Soçit.

Duke ditur mospëlqimin e Merkel-it për qentë, Putin-i inkurajoi qenin e tij që t’i afrohej kancelares gjermane.

Presidenti rus i tha asaj se rënia e Bashkimit Sovjetik kishte qenë “ngjarja më e keqe e shekullit të XX-të”.

Merkel u përgjigj se për të, si dikush që u rrit në Gjermaninë Lindore komuniste, rënia e Murit të Berlinit do të thoshte se ajo mund ta jetonte jetën e saj në liri.

Ishte e qartë tashmë, tha ajo, se kishte një “mospërputhje të madhe”.

“Putin”, u shpreh Merkel e “urrente” modelin perëndimor të demokracisë dhe donte të “shkatërronte” Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore