Shqipëria

Merkel: Kur kushtet të plotësohen, BE-ja nuk duhet të nxjerrë të tjera


Kancelarja gjermane, Angela Merkel në konferencë për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Në konferencën e fundit si kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel deklaroi se Bashkimi Evropian (BE), në momentin që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i plotësojnë kushtet, nuk duhet t’u nxjerrë të tjera.

“Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut, i plotësuan kushtet për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian”, tha Merkel nga ambientet e Tirana Business Park, në zonën e Rinasit.

Më tej, ajo vuri theksin te Procesi i Berlinit, duke mos e konsideruar si “zëvendësim i kapitullit të Bashkimit Evropian”.

Kancelarja përsëriti se është në interesin e vendeve të BE-së – po ashtu edhe të qeverisë gjermane – që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të afrohen me BE-në.

Shtetet në Ballkanin Perëndimor, sipas Merkel-it, gjenden në situata të ndryshme sa u takon kushteve që duhet të përmbushin për të hyrë në BE.

Flamujt e shteteve të Ballkanit Perëndimor
“Open Balkan”

Merkel, gjatë fjalës së saj, shprehu mbështetjen për projektin e tregut të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e “Open Balkan”.

Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, parimisht janë miratuar nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nëpërmjet tyre synohet të rregullohet liria e lëvizjes me karta identiteti, hyrja, lëvizja dhe qëndrimi për shtetasit e vendeve të treta, njohja e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët, si edhe njohja e diplomave universitare.

Kancelarja, ndonëse nuk e përmendi nismën “Open Balkan”, deklaroi se “sa më shumë të bashkëpunojmë, aq më mirë dhe aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”.

Në vijim të fjalës, ajo tha se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga hera e fundit që ka qenë në Shqipëri (më 8 korrik 2015) dhe se “bashkëpunimi po luan një rol tejet të rëndësishëm në rajon”.

Bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, për kancelaren, do të jetë temë e rëndësishme edhe pas hyrjes së këtyre shteteve në BE.

“Bashkëpunimi në të gjitha dimensionet është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme”, tha ajo.

Marrëveshja e “Open Balkan”
Projektet dhe infrastruktura

Merkel falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për trajtimin e temave bilaterale gjatë takimit që u zhvillua në Pallatin e Brigadave.

Ajo e përgëzoi Shqipërinë për përpjekjet e saj në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

“Shumëçka ka ndryshuar mes vendeve dhe popujve. Kryetarët e qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale me njëri-tjetrin, që nuk ka qenë kështu”, solli në vëmendje Merkel.

Sa u takon projekteve infrastrukturore, kancelarja deklaroi se është folur për nisjen e punimeve për “Autostradën e Paqes”.

Autostrada Prishtinë – Merdare, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes”, është një nga projektet e përfshira në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Washington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja u ndal edhe te çështja e klimës, politikat e së cilës do të jenë një nga detyrimet për të gjitha vendet e rajonit – në momentin e bashkimit me BE-në.

Autostrada e Paqes

Në fund të fjalës, ajo kancelarja tha se do të ketë një takim të dytë mes krerëve të Ballkanit Perëndimor më 6 tetor.

“Nga ana e Gjermanisë”, garantoi ajo, “do të ketë mbështetje të vazhdueshme në drejtim të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Dita e Merkel-it në Shqipëri

Ndalesa e parë e kancelares gjermane, Angela Merkel, sapo mbërriti në Tiranë, ishte në Pallatin e Brigadave, ku u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Me një ceremoni në nder të saj, u luajtën si himni i Republikës Federale të Gjermanisë, ashtu edhe himni i Republikës së Shqipërisë.

Më herët, ajo u prit nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në Aeroportin e Rinasit.

Pas përfundimit të ceremonisë pritëse, kancelarja u takua me delegacionin shqiptar, që udhëhiqej nga kryenegociatori për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi.

Vizita e 14 shtatorit në Shqipëri ishte e fundit për Angela Merkel-in si Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë.

Një ditë më parë, ajo përmbylli vizitën e saj në Serbi, ku u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Si nisi Procesi i Berlinit?

Shtatë vjet më parë, Bashkimi Evropian (BE) u gjend në një udhëkryq, përballë një sërë sfidash të brendshme dhe të jashtme.

Ndër to, kriza ekonomike dhe financiare, rritja e lëvizjeve populiste dhe ekstremiste të djathta në disa vende anëtare etj.

Në një situatë të tillë, politika e zgjerimit kaloi në plan të dytë dhe kjo u vërtetua pikërisht me deklaratën e dhënë në po të njëjtin vit nga presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker.

Ai tha se BE-ja nuk do të mund të zgjerohej më tej gjatë pesëvjeçarit të mandatit të tij.

Në këtë situatë pasigurie dhe paqartësie të përgjithshme, në kontinentin evropian, ku besueshmëria te perspektiva evropiane ishte “në rënie të lirë”, kancelarja gjermane Angela Merkel, më 28 gusht të vitit 2014, ndërmori të ashtuquajturin “Proces i Berlinit”.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit

Një iniciativë kjo që, synonte asokohe forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin ekonomik rajonal, si dhe hedhjen e themeleve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Qëllimet e këtij procesi, sipas deklaratës përfundimtare nga kryetari gjerman, janë “përparimet shtesë në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme, dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”.

Procesi i Berlinit, si objektiv kryesor kishte përparimin e mëtejshëm të agjendës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përqendrimi i kësaj agjende ishte në tre drejtinme kryesore: thellimin e përpjekjeve të përbashkëta në fushën e reformave kryesore; zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe pajtimin e shoqërive të vendeve të rajonit.

Mbështetje ndaj kësaj nisme, kanë treguar dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe Shtetet Anëtare të përfshira në Proces, si Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore