Shqipëria

Memorandumi i 5G-së, domethënës për sigurinë e Shqipërisë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Shqipëria nënshkruan të dielën e 13 qershorit, një marrëveshje për të koordinuar zhvillimin e rrjeteve të sigurta 4G dhe 5G jashtë vendit.

Besmir Semanaj, ekspert i teknologjisë dhe informacionit në Austri, deklaroi për Albanian Post se ky memorandum është “domethënës për sigurinë e Shqipërisë”.

SHBA-të po përpiqen të ndalojnë vendet e Ballkanit Perëndimor që të blejnë infrastrukturë kineze, pasi kjo e fundit mund të kthehet në një rrezik potencial shtetëror.

“Nuk duhet të harrojme që Ligji Kombëtar i Inteligjencës Kineze i detyron kompanitë kineze të bashkëpunojnë me shërbimin e Inteligjencës Kombëtare dhe kjo do të thotë shumë për ne si aleatë të SHBA-ve”, nënvizoi Semanaj.

Pa përmendur Kinën, të dy përfaqësuesit e SHBA-ve, Antony Blinken dhe Kryeministri i Shqipërisë, iu referuan ‘palëve të treta’ si kërcënim për rajonin në zinxhirin e furnizimit të telekomunikacionit.

Për Semanaj, këtu nuk flitet për avantazhe teknologjike, por mund të themi se Shqipëria do jetë pjesë e atyre vendeve që do investojnë për të pasur një rrjet shumë më të sigurt.

Sipas tij, kjo marrëveshje përfshin mbrojtjen dhe ruajtjen e infrastrukturës së telekomunikacionit.

Ballkani Perëndimor

Vitet e fundit, SHBA-të kanë arritur marrëveshje të ngjashme me vendet e Ballkanit Perëndimor si Serbia, Kosova apo Maqedonia e Veriut.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vendos Shqipërinë dhe një herë në krah të SHBA-ve, tregon besnikërinë ndaj vlerave demokratike dhe rëndësinë që i jep sigurisë kombëtare dhe asaj të qytetarëve”, u shpreh Semanaj.

Blinken u shpreh se po jepet një shembull shumë i fortë, “veçanërisht mbi nevojën për t’u siguruar që kur bëhet fjalë për teknologjinë dhe rrjetet tona më të ndjeshme, ne po punojmë me shitës të besueshëm”.

Duke cituar Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, Semanaj theksoi se Shqipëria iu bëri të qartë shumë vendeve se disa gjëra nuk janë në shitje.

Ndikimi i SHBA-ve

Ligjvënësit e Dhomës së Re prezantuan së fundi legjislacionin që lejon Korporatën Financiare të Zhvillimit të SHBA-ve që të financojë projekte të infrastrukturës 5G në 22 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë.

“Aktualisht tregu i 5G-së është i lirë, SHBA-të nuk po kërkojnë që pajisjet dhe teknologjia e këtij rrjeti të jenë të prodhura nga ata. Ajo që SHBA-të kërkojnë është që shtetet bashkëpunëtore të implementojnë teknologji të njërit prej vendeve partnere, pra kemi disa ‘shitës’ të ndryshëm që ofrojnë këtë sherbim si në Evropë, SHBA dhe Azi”, sqaroi Semanaj.

Projekt-ligji shihet si një kundërvënie ndaj “Rripit” dhe “Rrugës së Kinës” apo iniciativave të saj 17 + 1, në një rajon që historikisht i ka munguar infrastruktura e telekomit që nga epoka Sovjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore